Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për situatën politike në Kosovë, duke thënë se vendi po përballet me një gjendje të rënduar ekonomike, politike dhe të sigurisë.
Haradinaj thekson se vendi ndodhet në një situatë të komplikuar institucionale, me zgjedhje të përfunduara, por me një bllokadë të thellë në funksionimin e institucioneve.
Sipas tij, kjo gjendje jonormale është krijuar për shkak të mungesës së vullnetit politik për të gjetur zgjidhje, duke akuzuar se interesat personale dhe partiake janë vendosur para interesit të shtetit, njofton Dukagjini.
Tutje, Haradinaj thotë se Kosova ndodhet në një moment vendimtar dhe se është e nevojshme që forcat politike të kapërcejnë interesat e tyre dhe të bashkohen për të mirën e përbashkët të vendit.
“Sot vendi ynë ka degraduar në një gjendje të rënduar e tejet të komplikuar ekonomike, politike dhe të sigurisë. Me afat të harxhuar kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe me Parlament të pezulluar. Me zgjedhje të përfunduara, por me ngërç të paparë e të padëgjuar institucional. Kjo gjendje krejtësisht jonormale dhe në dëm të Shtetit e të secilit prej jush, është krijuar për shkak se ata që do të duhej t’i jepnin zgjidhje kësaj situate, nuk e kaluan veten e tyre, por u mjaftuan me interesa personale e partiake. Si vend e si shoqëri jemi në metrat e fundit që t’i kthehemi normalitetit. Jemi në udhëkryqin e madh të një bashkimi të të gjithë atyre që sot janë në gjendje ta kalojnë veten e tyre për të mirën e përbashkët”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas Haradinajt, vendi duhet të fokusohet në zgjidhjen e problemeve kryesore, si krijimi i institucioneve funksionale pas zgjedhjeve, përmirësimi i kushteve ekonomike për qytetarët, zhvillimi i sistemit arsimor dhe shëndetësor, si dhe afrimi i institucioneve me qytetarët.
Në fund, ai u bëri thirrje të gjithë akterëve politikë dhe shoqërorë që të bashkohen për ta çuar Kosovën drejt stabilitetit, zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike, duke përmendur synimin për anëtarësim në NATO dhe Bashkimi Evropian.
“Unë dhe Aleanca jemi më të vetëdijshëm se kurrë se plot disa punë kanë mbetur pa u kryer: Që zgjedhjet të prodhojnë institucione dhe bllokadat të kalojnë në histori;
Që njerëzit e këtij vendi të jetojnë dinjitetshëm me pagat, pensionet dhe ndihmat që u jep Shteti dhe të mos kërkojnë strehë nëpër botë; Që më në fund ta krijojmë një sistem modern shkollor që arsimon dhe një sistem shëndetësor që shëron; Që ta zhdukim distancën midis pushtetit dhe qytetarit, e ky i fundit të jetë sovrani i vendimmarrjes dhe të mos e detyrojmë që katër herë brenda vitit të shkojë në votime; Shteti dhe pushteti të jenë të tij… Ky është edhe apeli im për të gjithë ata që Kosovën e kanë në mendje dhe në zemër, në trup e në shpirt, që ta kapërcejnë veten e tyre dhe bashkërisht ta çojmë këtë vend drejt normalitetit, drejt zhvillimit, drejt NATO-s dhe BE-së. Ta çojmë Kosovën aty ku përket, në mesin e vendeve të zhvilluara e demokratike, ta bëjmë pjesë të Familjes së demokracive perëndimore”, ka shkruar Haradinaj.