Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si ofendim të mundshëm kthimin prapa të ligjit për Gjykatën Speciale. Megjithatë, ai ka theksuar se nuk kanë ndonjë informacion se ligji do të kthehet.
Haradinaj ka kritikuar mungesën e komunikimit dhe të dialogut strategjik të Kosovës, si dhe ngecjen në proceset integruese, duke vlerësuar se këto zhvillime paraqesin rrezik për vendin.
“Kjo po e shpjegon edhe atë se çka po ndodh Kosovës, po edhe te ligji, është një sinkronizim me lëshua Kosovën më poshtë sesa që është. Edhe mungesa e komunikimit, mungesa e dialogut strategjik, mungesa e përparimit në proces për anëtarësim Këshillën të Evropës, qoftë në BE, por në NATO, gjitha këto janë rrezik për Kosovën”, tha ai.
Duke folur për mundësinë e kthimit të ligjit, Haradinaj ka shprehur pakënaqësi për atë që e konsideron një zhvillim fyes, veçanërisht pas përpjekjeve dhe përplasjeve që e kanë shoqëruar këtë çështje.
“Po edhe loja me ligjin, pra është një ofendim tani kthimi prapa i ligjit, nuk e kuptoj këtë. Pse duhet me na ndodh kjo? Pra, pas gjithë atyre përpjekjeve, përplasjeve, vërtet është një ofendim i radhës kthimi i ligjit prapa. Nuk e kuptoj prapë pse duhet me ja bë Kosovës, vendit, pse duhet me kaluar tema të tjera, pse duhet ende me vazhduar kjo tallje me ne, me parlamentin, me qytetarë”, theksoi Haradinaj.
Ai ka rikujtuar se ligji është miratuar nga më shumë se dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Haradinaj ka thënë se, deri më tani, nuk kanë informacione për kthimin e tij, ndërsa ka kritikuar ata që, sipas tij, mund të jenë të përfshirë në një veprim të tillë.
“Ligji tani është i Kosovës, e kanë votuar mbi dy të tretat e deputetëve të Kuvendit. Nuk kemi ndonjë informatë që kthehet ligji prapa. Unë mendoj se kjo është një lojë e ndytë. Nga kushdo që e bën këtë lojë, është një lojë e ndytë edhe është turp për ata që janë përfshirë në këtë lojë, kush do qofshin. Për shkak se koha po ecë, sikurse e dini, proceset rreth hapelimit vazhdojnë me shpejtësinë e vet”, tha ai.
Haradinaj ka paralajmëruar se koha po kalon, ndërsa proceset e apelimit vazhdojnë.
Ai ka shprehur shqetësimin se zhvillimet rreth ligjit dhe mungesa e përparimit në proceset integruese mund të ndikojnë negativisht në pozitën e Kosovës.