Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit me Daniel J. Lawton, zëvendës ndihmës sekretar i Shtetit në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë takimit ka theksuar rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke vlerësuar se kjo do të forcojë sigurinë e vendit, por edhe do të kontribuojë në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë në komunitetin euro-atlantik.
Ai ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, nga periudha e luftës e deri te ndërtimi i institucioneve demokratike, duke theksuar se partneriteti Kosovë–SHBA mbetet i qëndrueshëm dhe strategjik.