Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka njoftuar se nuk do të kandidojë për kryetar të partisë në zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen në muajt në vijim.
Në një konferencë për media, pas përfundimit të mbledhjes së 177-të të Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, Haradinaj bëri të ditur se janë marrë vendimet për trupat zgjedhore dhe është shpallur zyrtarisht procesi i zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e partisë.
Ai theksoi se një nga risitë e këtij procesi është vendimi i tij për të mos kandiduar më për kryetar të Aleancës.
“Ne sapo kemi përfunduar takimin e 177-të të Këshillit të Përgjithshëm. I kemi dakorduar vendimet për trupat zgjedhore që i zgjedh Këshilli i Përgjithshëm, e po ashtu i kemi shpallur zgjedhjet e brendshme në të gjitha nivelet. Procesi zgjedhor fillon më 20 shkurt dhe përmbyllet më 6 qershor. Pra, orientimi ynë për Kuvendin është afati statutor katërvjeçar, me zgjedhje të rregullta. Është një situatë vërtet e mirë që me kohë i kemi bërë përgatitjet më të mira për këto zgjedhje. Njëkohësisht, e di që risi dhe ndryshim është fakti se nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës. Në këto zgjedhje ua kam treguar edhe kolegëve disa arsye, të cilat po jua shpjegoj edhe juve. Është një kohë e gjatë në udhëheqje, që nga maji i vitit 2000, pra një faktor është edhe koha e më pas edhe rezultati jo i mirë nga zgjedhjet”, tha ai.