Në emisionin FIVE të televizionit Dukagjini, deputeti dhe ish-i burgosuri politik Nait Hasani ka shprehur kritika ndaj qasjes së institucioneve të Kosovës ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai theksoi se çështja që po trajtohet në Gjykatën Speciale nuk është individuale, por politike dhe historike për shtetin.
“Në Kosovë nuk e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj pike, as presidentja, as kryeministri, as ministrja e Jashtme, as ministrja e Drejtësisë, asnjë ministri e komplet Qeveria. Po edhe shumica e qytetarëve, pika 35 ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, hyn gjithë lufta e jonë për liri, lufta jonë kundër Serbisë për çlirimin e vendit. Atje në këtë pikë nuk është Hashim Thaçi si individ, si presidentin, nuk është i deputet, si kryeministër. Por është Hashim Thaçi si vlerë e luftës e çlirimi të Kosovës. Në këtë drejtim duhet a shohim atje.
Atje duhet ta shohim lirinë e Kosovës, çlirimin e vendit, Kosovën, shtetin tonë e në këtë drejtim është dashur të veprojë secili për mbrojtje”, ka thënë Hasani në FIVE.
“Të ishte Hashimi në mënyrë individuale për çështjet veprave të veta individuale nëse ka, është problem i lehtë. Por Hashimi atje është si vlerë e luftës, si drejtues i luftës, si nënshkrues i Rambujes, si shpallës i pavarësisë, si kryeministër dhe president. Njëjtë janë edhe Rexhep Selimi edhe Kadri Veseli edhe Jakupi, por edhe të tjerët që janë atje”, ka shtuar Hasani.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar një protestë më 7 gusht, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, si shenjë kundërshtimi ndaj, siç e quajnë ata, padrejtësive të Gjykatës Speciale ndaj luftëtarëve të UÇK-së.