Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë për vrasjen e gruas në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se duhet të shqyrtohet edhe trajtimi institucional i kërkesave të saj për mbrojtje.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se hetimi duhet të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e viktimës, si është vlerësuar rreziku ndaj jetës së saj dhe çfarë masash janë ndërmarrë për ta mbrojtur.
Ajo ka rikujtuar se Arlinda ishte vrarë pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje. Po ashtu, tri ditë para vrasjes, ajo i kishte dërguar një letër Prokurorisë në Pejë, duke paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj.
“Këto rrethana kërkojnë hetim të plotë. Kur një femicid ndodh pasi viktima ka kërkuar mbrojtje, hetimi duhet të shkojë përtej vrasjes dhe të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e saj, si është vlerësuar rreziku dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka kërkuar që të shqyrtohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional dhe që, në rastet kur konstatohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse.
Haxhiu ka bërë të ditur se, në kuadër të përgjegjësive mbikëqyrëse të Kuvendit, do të kërkojë nga komisionet përkatëse parlamentare të shqyrtojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit, me theks të veçantë te vlerësimi i rrezikut dhe bashkërendimi ndërinstitucional.