Vrasjet e grave, Haxhiu: Shteti dhunuesin po e shndërron në vrasës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se shteti dhe institucionet e drejtësisë me mosveprime dhe neglizhencë po i shndërrojnë dhunuesit në vrasës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencë për media, 16 prill 2024.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka propozuar që të ketë udhëzim detyrues nga kryeprokurori i shtetit për prokurorët që merren me rastet e dhunës në familje e armëmbajtjeve pa leje që të mos ketë lëshim në procedurë të rregullt.

Në një konferencë për media, Haxhiu ka thënë se shteti dhunuesin po e shndërron në vrasës, pasi siç thotë ajo, kur i dyshuari e sheh që po ledhatohet nga sistemi do ta përsërisë sërish veprën penale.

“Të adresohet secili lëshim që lidhet me lëshime në procedura të rregullta, të lëshohet udhëzues detyrues nga kryeprokurori i shtetit, që kur ka dyshime për dhunë në familje, të mos ketë lëshime në procedurë të rregullt, pasi shteti dhunuesin po e shndërron në vrasës, kur e sheh që po ledhatohet nga sistemi do ta përsërisë sërish. Në asnjë nga rastet e dhunës në familje nuk është shqiptuar dënimi maksimal”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas Haxhiut, në dy rastet e fundit të vrasjeve të grave në Kosovë, të dyshuarit kanë pasur armëmbajtje pa leje.

Ajo mes tjerash bëri thirrje që të monitorohet gjuha e urrejtjes që po përdoret në rrjetet sociale, duke theksuar se kjo është nxitëse që të vazhdojnë krime të tilla.

“Bëj thirrje që me kujdes të veçantë të monitorohet kjo gjuhë që po përdoret në rrjete sociale, sepse është nxitëse që të vazhdojnë këto akte kriminale të ngjashme apo të përafërta”, u shpreh Haxhiu.

“Ndaj këtyre fenomeneve nuk mund të jemi spektatorë sepse rezultatet e gjuhës së urrejtes dihet ku na dërgojnë. Prandaj, me urgjencë duhet të veprojmë duke promovouar tolerancë dhe respekt perms mediave, kultures, artit, politikes, universiteteve dhe nga çdo sferë tjeter”, ka vijuar tutje Haxhiu.

Tutje ministrja ka bërë thirrje që vrasësit të marrin dënimet që i meritojnë nga institucionet gjyqësore të vendit duke theksuar se fenomeni i dhunës në familje dhe femicidi është bërë shumë i theksuar në vend.

“Është alarmante që shumë individë të shoqërisë tonë e shohin dhunën si rëndomtë në tejkalimin e problemeve të cilat tashmë mund të themi që shpeshherë përfundojnë me fatalitet me vrasjen e grave nga ish-burrat e tyre, apo burrat e tyre. Me plot bindje e them se ky fenomen është armiku unë më i madh. Dhuna është përhapur si një pandemi dhe po kalon në të gjitha familjet tona. Le të jenë institucionet në ndërgjegjësimin më të lartë që rastet e tilla të trajtohen me prioritet dhe me seriozitetin maksimal, vajza e gra nuk kemi për të humbur. Prandaj, le të shqiptohen dënimet maksimalet, le t’i vuajnë dënimet meritore, derisa janë dhunues ata janë të padobishëm për shoqërinë ata janë të padobishëm për familjen, prandaj edhe duhet të marrin dënimin e merituar e pastaj të rehabilitohen dhe të dalin si persona të përgjegjshëm nga institucionet korrektuese”, ka theksuar ajo.

Në takim ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha dhe përfaqësuesit e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, Haxhiu ka bërë të ditur se janë kërkuar që për një sërë çështjesh të merren veprime urgjente.

Të bëhet urgjent nënshkrimi i kontratës për mbikëqyrje elektronike të dhunuesve, të bëhet saktë vlerësimi i sigurisë për çdo rast të dhunës në familje, të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje dhe të analizohet se si po sigurohen këto armë, urgjentisht KPK-ja të hapë pozita për mbrojtësit e viktimave, të adresohet secili lëshim në lëshimin e procedurave të rregullta të dhunuesve, të lëshohet udhëzues detyrues nga Kryeprokurori për të gjithë prokurorët, kur ka dyshime për dhunë në familje të mos ketë vendime për lëshim në procedurë të rregullt, të avancohet politika ndëshkimore, nuk është dënuar askush maksimalisht për ‘dhunën në familje’ si dhe ngritjen e një institucioni që merret me rehabilitimin e personave me probleme narkotike”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.

Haxhiu ka paralajmëruar se “femicidin” do ta bëjnë vepër të veçantë penale.

Dhuna në familja dhe femicidi, siç thotë Haxhiu, janë armiku i brendshëm me rrezik të madh për Kosovën.

“Është alarmante, por edhe brengosëse që individë të shumtë të shoqërisë tonë shohin dhunën si mjet të rëndomtë për tejkalimin e problemeve, që shpeshherë po përfundojnë në fatalitet, me vrasjen e grave. Me plot bindje them se ky fenomen është armiku ynë i brendshëm me rrezik të madh. Këto sjellje barbare, këto akte monstruoze shkaktojnë jo vetëm jetën e viktimave, por edhe familjeve të tyre dhe shoqërinë në tërësi”, ka deklaruar ministrja.

Që prej vitit 1999, Haxhiu ka thënë se 99 gra janë vrarë nga burrat e tyre.

“99 varre të reja u hapen si vrasje që buruan nga dhuna në familje. Mbi 200 raportime regjistrohen çdo muaj në Polici nga dhuna e burrave ndaj grave”.

Sot, një grua 43-vjeçare është vrarë nga bashkëshorti i saj, i cili ishte dënuar më parë për dhunë në familje.

Tani të tre fëmijët e tyre janë në kujdesin e familjarëve të tyre ndërsa i dyshuari është në mbajtje për 48 orë.

Ky është rasti i dytë në pesë ditët e fundit, e vrasjes së grave në Kosovë.

Më 12 prill, një 21-vjeçare u vra brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Për vrasjen e saj është arrestuar ish-bashkëshorti i saj, të cilit autoritetet ia kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.

E mërkura e 17 prillit është shpallur ditë zie shtetërore në Kosovë nga presidentja Vjosa Osmani.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika