Më 19 nëntor, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratojë përbërjen e Qeverisë së re të propozuar nga Vetëvendosje dhe e udhëhequr nga Glauk Konjufca.
Nga 113 deputetë të pranishëm, vetëm 56 votuan për, 53 kundër dhe 4 abstenuan. Para kësaj, më 26 tetor kishte dështuar edhe përpjekja e parë e mandatarit Albin Kurti për të formuar Qeverinë.
Kjo situatë çoi në lëvizjen e Presidentes Vjosa Osmani, e cila më 20 nëntor shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme për datën 28 dhjetor, duke konstatuar se Kuvendi nuk kishte arritur të krijonte shumicë qeverisëse pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në këtë kontekst, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se Vetëvendosja nuk ka pasur asnjë mundësi reale për të krijuar koalicion, pasi disa prej partive politike e kishin bërë të qartë publikisht se nuk do të bashkëpunonin.
“S’kemi pas përpjekje për koalicion, po. Sepse ne i kemi dëgjuar deklaratat publike edhe të LDK-së edhe të Nismës. Edhe pas mandatimit të tij, menjëherë kanë dal në deklarata. Madje disa prej tyre kanë thënë se është shkelje kushtetuese, se kanë thënë duhen 61 nënshkrime, kanë thënë që vendi duhet të shkoj të zgjedhje menjëherë”, ka thënë Haxhiu.
