Haxhiu: UÇK-ja qëndron në themelin e Republikës, lufta e saj ishte e drejtë për çlirim

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë seancës solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë dhe UÇK-së, ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e drejtë për çlirim qëndrojnë në themelin e Republikës.

Haxhiu ka shpjeguar se lufta e UÇK-së ishte për dinjitet, liri dhe mbrojtjen e popullit shqiptar nga okupimi dhe shtypja sistematike, duke theksuar se çdo përpjekje për të shkëputur këtë luftë nga konteksti historik dhe politik rrezikon shtrembërimin e së vërtetës historike.

“Në këtë ditë të rëndësishme e lartëson ajo që qëndron në themelin e Republikës sonë. Ajo që buroi nga populli. Që është sa mundësia edhe e vërteta e tij. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e drejtë për çlirim. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për dinjitet dhe liri. Ajo ishte kundërpërgjigje në rrethanat e një okupimi të ashpër, kur dhuna sistematike ndaj popullit shqiptar po merrte përmasa shkatërruese. UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet, pa pasur synim shkatërrimin e askujt tjetër. Dhe çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj historik dhe politik rrezikon ta shtrembërojë të vërtetën e asaj kohe”, ka deklaruar ajo.

Kryetarja e Kuvendit ka kritikuar gjithashtu Gjykatën Speciale, duke theksuar se populli i Kosovës e përjeton si të padrejtë këtë gjykim, pasi anashkalon rrethanat e luftës çlirimtare dhe sakrificën e popullit.

Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta deformuar atë.

“Aq shumë kishte besim në drejtësinë e luftës sonë, saqë bota demokratike asokohe intervenoi e më vonë edhe e mbështeti pavarësinë e vendit tonë. Ne i kujtojmë këto të vërteta sepse populli i Kosovës e përjeton si të padrejtë Gjykatën Speciale. Dhe këtë gjykim, së pari sepse anashkalon vetë rrethanat në të cilat u zhvillua lufta jonë çlirimtare. Lufta jonë nuk ishte agresion, por rezistencë ndaj okupimit e shtypjes, ndaj gjenocidit dhe spastrimit etnik. Luftë për të mbrojtur tokën tonë, pragun e shtëpisë, familjet, qytetarët civilë të paarmatosur në Kosovë. Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta deformuar atë”, ka thënë ajo.

Të fundit nga rubrika