Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, në Debat Plus ka folur edhe për Listën Serbe, përkatësisht moszgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Ai ka thënë se në muajt e fundit në Kosovë po “shitet mjegull”.
“Kemi të bëjmë me një legjislacion politik i cili vjen gjithashtu nga legjislatura e tetë. I nominuari i Listës Serbe është ish-nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, i cili ka marrë votat e të gjitha partive politike, edhe një ish-ministër që ka dhënë dorëheqje në emër të bojkotit. Ka dalë vet, nuk është përzënë prej aty, sepse ka hyrë në bojkot politik. Ke të drejtën e Zotit me ju thënë juve që keni bojkotuar, dhe nëse keni bojkotuar në qeveri, e kam problem me të dhënë besim prapë për t’u kthyer në qeveri ose në organe të tjera, sepse në fillim të mandatit ka ndodhur diçka që ju e keni kundërshtuar me metoda të papranueshme në Kosovë. Por, pjesa e konstituimit të Kuvendit është diçka krejt tjetër”, ka thënë ai.
“A është në Manastirin e Banjës sulmi terrorist? Së paku aktakuza është ngritur dhe për cenim të sovranitetit dhe kushtetutshmërisë është ngritur. Por a është më pak e rrezikshme se lista e parë e serbëve të Kosovës që është quajtur Povratak, ku kryetari i saj për 11 vjet në Kosovë ka qenë çdo ministër dhe në çdo kryesi, i cili është vrarë fatkeqësisht, por ka qenë i dënuar për krime lufte. Ka qenë njeri që gjykatat në Kosovë, nën mandat evropian, e kanë dënuar për krime lufte. I njëjti, që ka qenë i dënuar për krime lufte në Kosovë, ka marrë homazh publik nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti”, ka thënë Haziri.
“Edhe formacioni i dytë i listës së serbëve që është quajtur Liberalët në Kosovë, ishte transformim. Ajo shterkeqje e Povratak-ut u përkthye në një listë tjetër që nuk ka zgjatur më shumë se 6 ose 7 vjet. Ku ka dështuar ajo? Ajo ka dështuar në rastin e humbjes së karrigeve të rezervuara në Kuvend. Mandati kushtetues iu ka kaluar, LDK-ja ka dalë gardian, nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje të re. I kemi ndërprerë ato 10 ulëse që janë kthyer shumicës shqiptare. Në këtë rast, ne kemi marrë shuplakë politike jashtëzakonisht të madhe edhe prej amerikanëve edhe prej evropianëve, por SLS-ja në atë kohë doli keq sepse humbi. Nuk humbi vetëm për ato 10 vende, por SLS-ja u shterkeq sepse u përfshi në krim dhe korrupsion. Shumica e ministrave që shkuan në ministri të ndryshme u ngritën me aktakuza. Dolën emra të ministrave që kanë qenë të përzier në krim të organizuar, dhe njëri prej tyre ka qenë edhe në formacion politik, i cili tani ka aktakuzë për terrorizëm – i pandehuri Radojçiq – që mori rolin me Veselinoviq dhe ndërtuan një listë krejt të re, e cila u riformatua në Listën Srpska në Kosovë. Praktikisht, ky është problem i komunitetit etnik dhe i ndërhyrjes së Beogradit në këto procese”, ka thënë Haziri.
Ai shtoi se drejtësia do të tregojë se sa ka qenë e përzier Lista Serbe në sulmin terrorist, kush ka qenë i involvuar dhe sa është e përfshirë Serbia si shtet dhe sponsor.
“Gjykatat kanë me zbardh këtë dhe atëherë vjen një verdikt, i cili edhe ne, edhe serbët, edhe Serbia, edhe BE, edhe NATO, edhe krejt bota e merr vesh çfarë ka ndodhur në këto parametra dhe në këtë organizim”, ka thënë ai.
“Nëse ne vazhdojmë politikisht me thënë: ‘E kanë bërë, ata janë, ai është, mundet, s’mundet, s’guxon’, atëherë ne po politizojmë rastin”, ka përfunduar Haziri.