Këtë të diel, sytë janë nga qielli: një eklips total hënor shfaqi fenomenin e njohur si “hëna e përgjakur”, një nga pamjet më magjepse që mund të ofrojë kozmosi.
Eklipsi ndodh kur dielli, Toka dhe hëna rreshtohen në një vijë të drejtë, duke bërë që hëna të kalojë nëpër hijen e Tokës – pjesa më e errët e saj quhet umbra.
Pikërisht në këtë moment, hëna fiton një ngjyrë të kuqërremtë të errët, duke krijuar pamjen që shpesh përshkruhet si dramatike dhe misterioze.
Pse duket e kuqe?
Kur hëna është në umbrën e Tokës, ajo nuk ndriçohet më nga rrezet e drejtpërdrejta të diellit. E vetmja dritë që arrin tek ajo është ajo që thyhet përmes atmosferës së Tokës.
Në këtë proces, gjatësitë valore blu të dritës shpërndahen, ndërsa ato më të gjata, të kuqe e portokalli, kalojnë dhe reflektohen mbi sipërfaqen e hënës. Ky është i njëjti efekt që bën që lindjet dhe perëndimet e diellit të marrin ngjyrë të kuqe.
NASA shpjegon se sa më shumë pluhur ose re të ketë në atmosferën e Tokës gjatë eklipsit, aq më e thellë do të duket ngjyra e kuqe e hënës.
Eklipset hënore nuk janë gjithmonë totale. Sipas astronomëve, një eklips i fundit i plotë ndodhi në vitin 2022, ndërsa i radhës pas këtij pritet në gusht të vitit 2026. Kjo e bën ngjarjen e së dielës një rast të veçantë për astronomët amatorë dhe adhuruesit e qiellit.
Hëna e përgjakur, spektakël global
Ky fenomen mund të shihet nga zona të ndryshme të globit, varësisht kushteve atmosferike dhe orarit lokal.
Shumë qytete pritet të organizojnë edhe evente publike për shikimin e eklipsit, duke e kthyer ngjarjen në një përvojë të përbashkët.
Hëna e përgjakur nëpër botë nga BBC:
Islamabad, Pakistan
Kopenhagen, Denmark
Shën Petersburg, Rusi
Bottens, Zvicër
Sidnej, Australi
Kajro, Egjipt