Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka kritikuar vendimin e qeverisë për themelimin e një komisioni hetimor të kontrolluar politikisht lidhur me dështimet e 7 tetorit 2023, duke përsëritur thirrjen e tij për krijimin e një komisioni shtetëror të pavarur hetimor për sulmin e Hamasit.
Duke folur gjatë një aktiviteti studimor biblik në rezidencën e tij, me rastin e agjërimit të 10-të të Tevetit, Herzog theksoi se rindërtimi i vendit nuk mund të bëhet duke e anashkaluar të kaluarën, por duke mësuar prej saj, shkruan Times Of Israel.
Ai tha se për të ecur përpara, Izraeli duhet të zhvillojë një hetim të plotë, të thellë dhe shtetëror, në përputhje me Ligjin për Komisionet Hetimore.
|Duhet të kryejmë një hetim të plotë dhe serioz për katastrofën e tmerrshme të 7 tetorit dhe për dështimin e gjykimit që çoi deri te ajo”, tha Herzog, duke shtuar se këtë kërkesë e ka përsëritur vazhdimisht gjatë vitit të kaluar dhe e riafirmon edhe tani.
Deklarata e presidentit izraelit vjen pasi javën e kaluar koalicioni qeverisës votoi në lexim të parë pro krijimit të një komisioni hetimor të emëruar politikisht, në vend të një komisioni shtetëror të pavarur.
Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij kanë refuzuar vazhdimisht ngritjen e një komisioni të pavarur, duke argumentuar se një hetim i tillë do të ishte i njëanshëm ndaj qeverisë së tij.
Herzog theksoi se dhimbja e qytetarëve, familjeve dhe komuniteteve izraelite është e thellë dhe se ata meritojnë përgjigje të qarta.
