Ish-emisari special i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, ka dëshmuar se ambasadori amerikan Robert Gelbard i ishte referuar UÇK-së si organizatë “terroriste”, duke u bazuar në përvojën e tij nga Amerika Latine.
Hill në Hagë ka theksuar se kishte pasur shumë kritika mbi këtë deklaratë, dhe se disa kishin interpretuar se ajo mund të kishte ndikuar në ngjarjet tragjike në Prekaz, përfshirë sulmin në familjen Jashari.
“Pati shumë kritika për deklaratën e Gelbard se UÇK-ja ishte organizatë terroriste, dhe kishte fjalë se kjo e kishte shpejtuar këtë ngjarje, pra sulmin në familjen Jashari. Gelbard sikurse kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Besoj se nuk ka provë për një gjë të tillë, por ajo është diskutuar, nëse i dërguari amerikan e quan UÇK-në terroriste, jep sinjal serbëve të lëvizin kundër tyre”, ka deklaruar Hill.
Ai ka shtuar se Gelbard më pas mori qëndrim më të ashpër ndaj serbëve pas ngjarjeve në Prekaz dhe zhvilloi biseda të forta me Slobodan Millosheviqin, i cili më pas refuzoi të takohej më me të.
Hill ka theksuar gjithashtu vështirësitë e diplomacisë amerikane për të kontaktuar me udhëheqës të UÇK-së:
“Robert Gelbard kishte takime me shqiptarë të Kosovës në Zvicër, të cilët ai i identifikonte si udhëheqës të UÇK-së, por nuk ka prova që ata ishin udhëheqës të saj zyrtarisht”, ka deklaruar Hill.