Ushtria dhe sistemi shëndetësor i Holandës po përgatiten për një skenar të mundshëm lufte, me plane të detajuara për të përballuar një valë të madhe të të plagosurve nga zonat e konfliktit, përfshirë edhe trupat aleate që mund të kalojnë nëpër territorin holandez.
Sipas NL Times, Ministria e Mbrojtjes ka paralajmëruar se një konflikt i mundshëm midis Rusisë dhe NATO-s mund të shkaktojë “një fluks masiv të njerëzve të plagosur dhe të sëmurë nga zonat e luftës”. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes po bashkëpunon ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe organizatat kryesore të kujdesit shëndetësor, përfshirë Shoqatën e Spitaleve Holandeze (NVZ).
“Po përgatitemi plotësisht në mënyrë që Holanda të jetë në gjendje të përballojë çdo nevojë të mundshme mjekësore,” deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes.
Nga ana tjetër, NVZ theksoi se spitalet holandeze janë tashmë “të përgatitura mirë për situata krize dhe stërviten rregullisht për to”, por shtoi se përballja me një skenar të tillë do të kërkonte burime të shtuara. Sipas NVZ-së, një pjesë e financimit mund të sigurohet përmes udhëzimeve të NATO-s, që parashikojnë destinimin e 1.5 për qind të burimeve për investime në gatishmërinë ushtarake.
Forcat e Armatosura të Holandës po sigurojnë personel shtesë, pajisje dhe kapacitete transporti për evakuimin dhe trajtimin e menjëhershëm të të plagosurve. Organizata mjekësore ushtarake është në proces zgjerimi, duke përfshirë edhe rezervistë që trajnohen rregullisht dhe mbeten të gatshëm për dislokim në raste emergjente.
Një pjesë e stafit mjekësor ushtarak pritet të vendoset në spitalet civile për të garantuar që shërbimet shëndetësore të mbeten funksionale për popullatën.
“Edhe në një skenar lufte, kujdesi shëndetësor duhet të mbetet sa më i arritshëm për civilët,” theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes holandeze.