Irani ka paralajmëruar se çdo anije që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit pa leje do të “shënjestrohet dhe shkatërrohet”, sipas një mesazhi të konfirmuar për BBC nga ndërmjetësi i anijeve SSY.
Në mesazh thuhet: “Vëmendje të gjitha anijeve në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit. Kjo është stacioni detar i Gardës Revolucionare (IRGC). Kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit mbetet i mbyllur dhe kërkohet leje nga IRGC para lundrimit. Çdo anije që tenton të kalojë do të shënjestrohet dhe shkatërrohet.”
Sipas SSY, ekuipazhet e anijeve në rajon kanë dëgjuar këtë paralajmërim përmes kanaleve ndërkombëtare të komunikimit detar.
Ndërkohë, mediat iraniane raportojnë se cisternat e naftës kanë ndalur kalimin nëpër ngushticë, në kohën kur Izraeli po vazhdon sulmet në Liban.
Agjencia Fars, e lidhur me Gardën Revolucionare, raportoi se dy cisterna kanë kaluar më herët me leje të Iranit, por më pas kalimi i anijeve është ndalur.
Edhe agjencia shtetërore IRNA konfirmon pezullim të trafikut detar, duke e lidhur këtë me përshkallëzimin e sulmeve në rajon.
