Të dielën në fshatin Dardani të Komunës së Ferizajt, një fëmijë katërvjeçar ka humbur jetën pasi është goditur me veturë nga një familjar në oborrin e shtëpisë.
Lajmin e ka konfirmuar për Dukagjinin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Sot, më 22.06.2025, rreth orës 18:35, nga stacioni policor në Viti jemi njoftuar se në ambulancën e fshatit Pozheran është dërguar një fëmijë rreth moshës 4-vjeç, i cili është konstatuar pa shenja jete nga mjeku kujdestar. Dyshohet se fëmija është goditur nga një veturë në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Dardani, ndërsa ngasësi ka lidhje familjare me viktimën”, ka theksuar Veseli.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Sipas policisë, për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ngasësi i veturës është ndaluar në mbajtje për 48 orë.