Dalja në televizionin publik serb RTS e ish-zyrtarit serb Nikolla Shainoviq, i dënuar për krime lufte nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë- ICTY (Hagë), ka nxitur reagime të forta në rrjetet sociale dhe në opinionin publik në Ballkanin Perëndimor.
Naim Beshiri ka reaguar në platformën X, duke theksuar se një vend ku një kriminel lufte i dënuar ftohet në televizion publik në ditën e përvjetorit të bombardimeve, për të cilat ai vetë ka pasur rol siç thotë ai, “nuk mbetet asgjë për të shpresuar”.
Beshiri rikujtoi se Shainoviq është dënuar përfundimisht nga Tribunali i Hagës në rastin IT-05-87-A, si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që kishte për qëllim dëbimin e dhunshëm dhe të përhershëm të shumicës së shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1999.
Sipas Beshirit, si funksionar i lartë shtetëror dhe koordinator politik ndërmjet ushtrisë, policisë dhe strukturave shtetërore, Shainoviq ka pasur rol kyç në planifikimin dhe zbatimin e fushatës së dhunës ndaj popullsisë civile. Ai u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, përfshirë deportimin, zhvendosjen e detyruar dhe persekutimin, që përfshinte vrasje dhe akte të tjera çnjerëzore.
Beshiri theksoi se gjykata ka konstatuar se krimet nuk ishin incidente të izoluara, por pjesë e një politike të organizuar dhe të koordinuar shtetërore kundër shqiptarëve të Kosovës. Ai shtoi se, ndonëse u dënua me 18 vite burg (pas uljes nga 22 vite), Shainoviq ka vuajtur vetëm 12 vite dhe sot shfaqet në televizion kombëtar “që ne të gjithë e paguajmë”, duke e quajtur këtë “turp”.
Postimi i tij është rishpërndarë nga Amil Grboviç, i cili e krahasoi situatën me një shembull ekstrem historik.
“Imagjinoni Joachim von Ribbentrop-in si mysafir në televizionin gjerman në vitet ’70, duke thënë se zbarkimi i Aleatëve në ‘D-Day’ ishte i paligjshëm apo se sovjetikët pa arsye sulmuan Berlinin në vitin 1945… kjo është e njëjta situatë. Simfonia e çmendurisë në Serbi nuk po ndalet”, shkroi ai.
Zamislite Joakima fon Ribentropa kako gostuje na njemačkoj TV 70-ih godina prošlog vijeka i govori o tome kako je saveznička invazija poznata kao “Dan D” nelegalna, nelegitimna, ili kako su Sovjeti ničim izazvani jurišali na Berlin 1945. godine…ovo je ista situacija.
Simfonija… https://t.co/Z62duZHClC
— Amil Grbovic (@AmilGrbovic) March 25, 2026