Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamer Ibrahimi, ka folur gjatë marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, duke theksuar se pjesëmarrja masive e qytetarëve dërgon një mesazh të qartë se kërkohet drejtësi e paanshme.
Ai ka treguar se para shumë vitesh, disa djem të rinj në luftë nuk e dinin nëse do të prisnin mëngjesin, por kishin besim të pathyer se një ditë Kosova do të bëhej e lirë.
Ai ka shtuar se zemra e Kosovës po rreh për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, në një proces që është tejzgjatur.
“Ne nuk kemi frikë nga drejtësia, sepse kush lufton për liri nuk i frikësohet të vërtetës. Por kemi të drejtë të kërkojmë drejtësi të paanshme, të mos shtrembërohet e as të rishkruhet. UÇK-ja nuk ishte organizim për mbijetesë, por mburojë për fëmijët, gratë dhe pleqtë. Ishte përgjigja e fundit e një populli që po zhdukej. Pra UÇK lindi nga populli, sot, kur e shoh këtë det njerëzish, e di që ata në Hagë nuk janë vetëm”, ka thënë ai.