IKD: Qeveria në detyrë mori një sërë vendimesh të kundërligjshme dhe elektorale

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kontestuar dhe kundërshtuar miratimin e vendimeve nga Qeveria në detyrë.

IKD-ja thekson se këto vendime janë miratuar nga një përbërje e qeverisë që sipas Gjykatës Supreme është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin.

Për më tepër, vendimet e nxjerra në pritje të para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe me mundësi të mëdha edhe para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, IKD i konsideron si vendime elektorale.

“IKD në asnjë rrethanë nuk është kundër rritjes së pagave, pensioneve apo shtesave për kategori të caktuara. Për më tepër, në kohën kur vendi po përballet me një shkallë të lartë inflacioni, çështja e drejtësisë sociale do duhej të merrte një fokus të shtuar institucional. Megjithatë, këto çështje duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin dhe jo këto vendime të merren në kontekst elektoral”, thuhet në reagim.

Sipas Institutit në një situatë të rënduar ekonomike dhe një klimë të përgjithshme zhgënjimi, është e lehtë të arsyetohet çdo veprim që duket se sjell përfitim të menjëhershëm, përkundër mos respektimit të ligjeve dhe procedurave.

“Por, ligjet dhe procedurat ekzistojnë pikërisht për t’i mbrojtur qytetarët nga abuzimi i pushtetit. Kur ato shkelen për qëllime politike, sot mund të duket se fitojmë diçka, por nesër humbim sigurinë, drejtësinë dhe barazinë para ligjit. Prandaj, mbrojtja e procedurës është mbrojtje ligjit, institucioneve dhe vetë interesave të qytetarëve.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, anëtarët e Qeverisë të cilët janë certifikuar si deputetë tanimë kanë humbur mandatin e tyre si anëtarë të Qeverisë, për shkak të papajtueshmërisë në mbajtjen e njëkohësisht të të dy pozitave, asaj të anëtarit të qeverisë dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Thënë më ndryshe, të gjithë anëtarët e qeverisë, të cilët janë certifikuar si deputet, nuk janë më anëtarë të qeverisë dhe nuk kanë asnjë kompetencë për të marrë asnjë vendim. Për këtë arsye, të njëjtit kanë uzurpuar zyrat e Qeverisë dhe rrjedhimisht të gjitha këto vendime, në mungesë të kompetencës, janë të kundërligjshme”, thuhet në reagim.

Sipas IKD-së, në mbledhjen e së premtes, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës fillimisht miratoi Projektligjin për Ndarjet Buxhetore për Vitin 2025 (Buxhetin) dhe se ky vendim bie ndesh me Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ligj ky i miratuar nga kjo Qeveri dhe aprovuar nga Kuvendi në kohën kur kjo Qeveri kishte shumicën në Kuvend.

“Kundërligjshmëria nuk përfundon këtu. Në votimin e buxhetit u përfshi edhe ajo që pagesa për përvojën e punës të rritet nga 0.25% në 0.5%. Fillimisht, duhet theksuar se në të kaluarën, pagesa për përvojën e punës ka qenë 0.5%. Ligji për Pagat në Sektorin Publik, miratuar nga kjo Qeveri, e kishte ulur në 0.25%. Për këtë, Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje, duke urdhëruar Kuvendin që, deri më 1 gusht 2024, të bëjë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Kjo Qeveri dhe Kuvendi i kaluar shkelën afatin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese, duke mos respektuar aktgjykimin e saj dhe duke mos bërë ndryshimin e Ligjit. Për shkak të kësaj, tanimë Gjykatat janë vërshuar me lëndë nga qytetarët të cilët kërkojnë realizimin e të drejtës së tyre.

Ndërsa, në takimin e së premtes, Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi që këtë ta përfshijë në buxhet, përkundër faktit se kjo duhet të bëhet me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit”, thuhet tutje.

Sipas IKD-së, e tillë është edhe çështja e pagës së trembëdhjetë.

“Kjo çështje nuk mund të rregullohet me një vendim qeveritar, por kërkohen ndryshime sistematike në Ligjet bazike. Adresimi i kësaj çështje përmes një vendimi qeveritar është një vendim juridikisht i pavlerë. Për më tepër, një vendimi të tillë do të duhej t’i paraprinte një analizë e thellë ekonomike, në kuptim të implikimeve që mund të ketë. Kjo duhet të shikohet në prizmin e aspektit të drejtësisë sociale, ku nuk duhet barazuar zyrtarët shtetëror me të hyra me mijëra euro, me zyrtarët me paga të ulëta. Sipas këtij vendimi, të dy kategoritë do të marrin pagën e 13-të. Në anën tjetër, analiza do duhej të përfshinte edhe inkuadrimin e sektorit privat në këtë masë. Për këtë arsye, përpos se i kundërligjshëm, ky vendim është edhe konceptualisht i gabuar dhe rrezikon të prekë edhe shkelje të së drejtës për trajtim të barabartë.

Sa i përket vendimit të për rritjen e pagës minimale, është i pasaktë deklarimi i z. Hekuran Murati në lidhje me atë se vendimi është marrë në mungesë të një propozimi nga Këshilli Ekonomik dhe Social. Aktualisht, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk e ka funksionalizuar këtë Këshill, andaj s’kishte se si të vinte një propozim i tillë”, thekson IKD.

Sipas Institutit vendimet e tjera të Qeverisë, që kanë të bëjnë me rritjen e pensioneve dhe rritjen e shtesave për fëmijë, në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe në kohën kur paralajmërohen zgjedhje të reja qendrore, janë vendime haptazi elektorale.

“Vet Kryeministri në detyrë Kurti thoshte se nuk rrit pagat në prag të fushatave, sikurse qeveritë paraprake”, thuhet ndër të tjera. /Telegrafi/

 

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika