Një incident fizik ka ndodhur sot në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku Janë përfshirë dy punonjës shëndetësorë.
Nga Policia e Kosovës është bërë e ditur se rasti është raportuar në orët e mëngjesit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka deklaruar rreth orës 08:00 kanë pranuar informatën për një përleshje fizike brenda QKUK-së.
“Sot rreth orës 08:00, kemi pranuar informatën për një përleshje fizike, e cila ka ndodhur në QKUK në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë përfshirë dy persona. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si ‘Sulm’, ndërsa Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit po merret me sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë Pllana.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, e cila ka bërë të ditur se për rastin janë njoftuar organet e rendit dhe se policia ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Sipas informatave fillestare, në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve ka ndodhur një incident mes dy punonjësve shëndetësorë. Për rastin janë njoftuar organet e rendit, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Qyqalla.
Ajo për Telegrafin ka shtuar se aktualisht nuk ka detaje shtesë lidhur me shkaqet e incidentit, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga autoritetet kompetente.
Portali Dukagjini ka kontaktuar Policinë dhe QKUK-në por nuk kanë dhënë informacione nga rasti në fjalë.
Ndërkohë, mediat kanë raportuar se incidenti ka ndodhur në hyrje të ashensorit të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, ku dy kirurgë, të identifikuar me inicialet B.K. dhe Xh.A., janë përplasur fizikisht.