India dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje të re strategjike që synon zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes për dekadën e ardhshme. Lajmi u bë i ditur pas takimit midis Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së, Pete Hegseth, dhe ministrit indian të Mbrojtjes, Rajnath Singh, i zhvilluar në Kuala Lumpur.
Sipas njoftimeve, marrëveshja parashikon forcimin e koordinimit, ndarjes së informacionit dhe bashkëpunimit teknologjik midis dy vendeve, me synim përmirësimin e stabilitetit dhe parandalimit rajonal. Dokumenti gjithashtu do të shërbejë si udhërrëfyes politik për të gjithë spektrin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes.
Vendimi vjen në një moment kur Uashingtoni dhe Nju Delhi po përpiqen të zbusin tensionet tregtare, të shkaktuara nga tarifat e larta të vendosura nga administrata Trump ndaj Indisë – përfshirë një taksë 25% mbi blerjet e naftës dhe armëve nga Rusia.
“Ky pakt paralajmëron një dekadë të re partneriteti. Mbrojtja do të mbetet një shtyllë kryesore e marrëdhënieve tona dypalëshe. Partneriteti ynë është thelbësor për një rajon Indo-Paqësor të lirë, të hapur dhe të bazuar në rregulla”, deklaroi ministri indian Rajnath Singh.
Marrëveshja e re është pjesë e një serie iniciativash që kanë lehtësuar bashkëpunimin mes dy ushtrive, i cili përfshin qasje më të gjerë të Indisë në teknologji të avancuar dhe rritje të ndërveprimit ushtarak.
Në muajt e fundit, India dhe SHBA kanë intensifikuar lidhjet e tyre në fushën e mbrojtjes. Tema ishte në qendër të bisedimeve midis kryeministrit indian Narendra Modi dhe presidentit Donald Trump gjatë vizitës së Modit në SHBA në shkurt, kur Trump njoftoi se do të shtohen shitjet e pajisjeve ushtarake ndaj Indisë me vlera prej miliarda dollarësh, përfshirë mundësinë e furnizimit me aeroplanë luftarakë F-35.