Iniciativa “Barnatorja” ndihmon qytetarët

Iniciativa "Barnatorja" në kuadër të emisionit "Radar" me Edita Dolin në Radio Dukagjini vazhdon të ju qëndrojë para qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë. Drejtuesja e emisionit “Radar” Edita Doli ka thënë se kjo iniciativë do të realizohet një herë në javë deri në fund të vitit, por se dita do të ndryshojë nga java në javë

Iniciativa "Barnatorja", në emisionin "Radar" me Edita Dolin në Radio Dukagjini





Me qëllim që të ndihmohen pacientët që kanë nevojë të menjëhershme të furnizohen me medikamente, iniciativa “Barnatorja”, një bashkëpunim mes emisionit “Radar” me Edita Dolin, në Radio Dukagjini, ushtarëve të “Radar-it’ dhe MN Farm e cila gjendet në hyrje të QKUK-së në Prishtinë, sot u realizua në formë befasie.

Edhe pse paralajmërimi u bë vetëm pak minuta para se të niste transmetimi i drejtpërdrejt në RTV Dukagjini, shumë shpejt u krijuan radhët e gjata para MN Farm, ku pacientët që trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), prisnin për tu shërbyer falas me barna.

Drejtuesja e emisionit “Radar” Edita Doli, theksoi se iniciativa “Barnatorja” do të realizohet një herë në javë deri në fund të vitit, por se dita do të ndryshojë nga java në javë. Kjo me qëllim që përmes kësaj iniciative të ndihmohen qytetarët aty për aty, ata të cilët nuk arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet e medikamenteve.

“Ky është misioni i Radarit, t’ua lehtësojmë sado pak këtë barrë”, ka thënë Doli. Pronarja e MN Farm, Majlinda Nushi, tregoi se interesimi për këtë iniciativë është çdo ditë, pasi rastet që nuk po arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet e medikamenteve janë të shumta.

 “Kjo tregon se sa punë të madhe është duke bërë emisioni Radar. Kanë mjaftuar vetëm 20 minuta dhe radhët u krijuan. Ftoj të gjithë vullnetmirët që ta përkrahin këtë iniciativë, sepse me këtë mundësi, me këtë ndihmë që ju po e ofroni shihet gëzimi në sytë e tyre”, ka thënë Nushi.

Duke parë qëllimin e mirë, iniciativa “Barnatorja”, po vazhdon të pëkrahet nga shumë dëgjues të Radio Dukagjinit e që shumica prej tyre dëshirojnë të mbesin anonim.

Gjatë së martës së 8 Nëntorit, për medikamentet në ndihmë qytetarëve, janë paguar 781.7 euro, MN Farm liron 10% të shumës. Iniciativa “Barnatorja”, realizohet një herë në javë, gjatë emisionit “Radar” në Radio Dukagjini.