Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka marrë vendim për të gjobitur Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) me shumën prej 3,000 eurosh, për shkak të moszbatimit të vendimit të mëhershëm që detyronte këtë institucion të ofronte qasje në dokumente publike për kompaninë ankuese “Sierra Inspekt”.
Vendimi me numër Gj-1112/2024 është nxjerrë më 27 maj 2025, pas shqyrtimit të ankesës së parashtruar më 9 dhjetor 2024 nga Sierra Inspekt kundër Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht ndaj IQMT-së, për refuzim të qasjes në dokumente të laboratorit të produkteve biocide të importuara.
Sipas AIP-së, IQMT nuk ka respektuar afatet ligjore për t’u përgjigjur brenda shtatë ditësh ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike dhe ka injoruar edhe vendimin e AIP-së të datës 24 mars 2025, që e detyronte institucionin të ofronte të dhënat e kërkuara. Kjo sjellje, sipas AIP-së, përbën shkelje të Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike.
Agjencia vlerëson se dokumentet e kërkuara nuk i nënshtrohen asnjë prej dymbëdhjetë përjashtimeve që parashihen në ligj dhe janë pjesë e funksioneve publike të mbikëqyrjes së produkteve në treg. Për më tepër, AIP thekson se përgjigjet e IQMT-së ishin të pasakta, të paplota dhe në disa raste shmangëse, duke refuzuar të tregojnë në mënyrë të qartë nëse posedojnë apo jo dokumentet.
Në një prej komunikimeve të saj, IQMT kishte sugjeruar që dokumentet ndodhen në laboratorë të akredituar dhe përmendte se “Raporti i Testimit për Doganën” nuk mund të fotokopjohet pa miratimin e laboratorit. Megjithatë, AIP konstaton se ky argument nuk qëndron, pasi ligji i obligon institucionet që kanë njohuri për vendndodhjen e dokumenteve të drejtojnë kërkuesin tek institucioni që i disponon.
Pavarësisht paralajmërimeve të shumta nga AIP dhe kërkesave për sqarime shtesë, IQMT nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për zbatimin e vendimit të mëhershëm dhe as ka ofruar ndonjë provë që dokumentet nuk ekzistojnë.
Për këtë arsye, Agjencia ka shqiptuar gjobën administrative në vlerë prej 3,000 euro, që duhet paguar brenda 30 ditëve në llogarinë zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Në rast të mos pagesës, gjoba do të ekzekutohet me titull përmbarimor nga përmbaruesi privat. Palës së gjobitur i njihet e drejta për të paraqitur ankesë brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të vendimit, në Zyrën për Ankesa të Agjencisë për Informim dhe Privatësi apo përmes Ministrisë së Administratës Publike.
