Instrumentalizim i rrezikshëm i Ortodoksisë – Kryeziu rrëzon narrativën e Beogradit për “përndjekje fetare” në Kosovë

Serbët e Kosovës mblidhen rreth një zjarri të madh gjatë djegies ceremoniale të degëve të thata të lisit, që simbolizojnë trungun e Krishtlindjeve, në prag të Krishtlindjeve Ortodokse, në manastirin në Graçanicë më 6 janar 2026. (Foto AFP)

Kadri Kryeziu, profesor i së Drejtës Kushtetuese dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka kritikuar ashpër Serbinë për instrumentalizimin politik të fesë në raport me Kosovën, duke theksuar se Beogradi po ndërton narrativa të rreme për “përndjekje fetare” në mungesë të fakteve dhe provave konkrete.

Kryeziu në një opinion analitik vlerëson se akuzat e fundit të zyrtarëve serbë, përfshirë ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq, nuk mbështeten në incidente reale që do të përbënin shkelje të lirisë fetare, por janë pjesë e një strategjie të qëllimshme për ta zhvendosur debatin nga ligji dhe institucionet drejt identitetit fetar.

Sipas tij, kjo qasje synon ta paraqesë Kosovën si shtet që persekuton “serbët e krishterë”, duke errësuar faktet dhe duke tensionuar qëndrimet politike në një moment kur nevojitet normalizim.

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu gjatë një paraqitje në FIVE në RTV Dukagjini.(Foto arkiv)

Kryeziu thekson se incidentet e përmendura në Mitrovicën e Veriut, Graçanicë dhe Prizren nuk përbëjnë as ndalim të adhurimit fetar, as ndërprerje të riteve ortodokse dhe as dhunë institucionale.

“Nuk ka pasur arrestime, ndalim shërbesash apo shkelje të kornizës ligjore që garanton lirinë e fesë. Ajo që ka ndodhur janë gabime policore dhe probleme komunikimi, jo armiqësi fetare”, vlerëson ai përcjell Dukagjini.

Sipas ish-gjyqtarit kushtetues, ngatërrimi i çështjeve të qeverisjes dhe rendit publik me pretendime për persekutim fetar është analitikisht i gabuar dhe politikisht i rrezikshëm.

Ai nënvizon se Kushtetuta e Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut ofrojnë garanci të plota për lirinë e besimit, ndërsa prania e mekanizmave ndërkombëtarë si KFOR, EULEX, OSBE dhe UNMIK e bën të pavlefshëm pretendimin se Kosova është “hapësirë pa dëshmitarë”.

Kryeziu kritikon gjithashtu përpjekjet për ta etiketuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti si “anti-kristian”, duke i quajtur ato konstruksione propagandistike pa bazë faktike, që nuk qëndrojnë as përballë realitetit personal e as përballë të dhënave institucionale.

“Qeveritë e Kosovës kanë vepruar brenda një kornize kushtetuese që mbron qartë të gjitha komunitetet fetare, përfshirë Kishën Ortodokse Serbe”, thekson ai përcjell Dukagjini.

Kryeziu gjithashtu vlerëson se Serbia po përdor fenë si mjet politik për të absolutizuar një konflikt që në thelb është politik dhe juridik, duke e shndërruar atë në çështje morale dhe qytetëruese.

“Besimi meriton mbrojtje, por nuk duhet të rekrutohet në luftë politike. Instrumentalizimi i fesë e ngushton hapësirën për dialog dhe e shtyn zgjidhjen e problemeve reale”, përfundon ai, duke theksuar se e ardhmja e Kosovës duhet të ndërtohet mbi ligjin, institucionet dhe llogaridhënien, e jo mbi narrativa të rreme fetare.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika