Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, ka komentuar kapjen e mbi 120 kilogramëve narkotikë në Kosovë, duke thënë se vendi prej vitesh përballet me këtë fenomen dhe se nuk mund të konsiderohet i mbrojtur nga ky lloj krimi.
“Ky fenomen nuk është brengë vetëm për Kosovën, por tani ka kaluar nga domeni nacional apo kombëtar në gjeopolitikë, ka kaluar në krejt botën, prandaj edhe duhet një bashkëpunim i mirëfilltë mes të gjithë mekanizmave të sigurisë”, tha Berisha në një lidhje direkte në emisionin “FIVE”.
Ai vlerësoi lart punën e shërbimeve të inteligjencës, duke theksuar se ato janë ndër kontribuuesit kryesorë në kapjen e grupeve kriminale.
“Në veçanti mendoj që barrën kryesore, nëse veç arrijnë me parandalu këtë lloj krimi, kishin me qenë shërbimet e inteligjencës në Kosovë, të cilat vërtetë po e bëjnë punën e tyre dhe po shihet që në vazhdimësi po kapen grupe të strukturuara kriminale”, tha ai.
Berisha paralajmëroi se narkotikët tashmë kanë prekur edhe rininë në vend, duke nënvizuar se kjo situatë kërkon qasje të re strategjike nga institucionet.
“Mendoj që në këtë konstelacion ish dashtë që shteti të mendojë me një strategji pak më ndryshe”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se pavarësisht punës së mirë të bërë deri tani, lufta kundër krimit të organizuar mbetet sfidë serioze dhe kërkon koordinim të thelluar institucional.
