Njohësi i çështjeve politike dhe profesori universitar, Faton Ismajli, ka komentuar deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili ka lënë të kuptohet se Lëvizja Vetëvendosje mund të mos arrijë të formojë qeverinë e re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke hapur mundësinë për rikthim në zgjedhje të reja.
Në FIVE në TV Dukagjini, Ismajli ka thënë se kriza aktuale politike është pasojë e degradimit të skenës politike dhe mungesës së përgjegjësisë të partive.
Ai tha se jo vetëm partia fituese, por edhe opozita bart përgjegjësi për dështimin në themelimin e institucioneve të reja.
“Në fakt theksi duhet vendosur te konstatimi i zotit Kurti që as opozita nuk ka alternative dhe nuk ka mundësi të formojë qeverinë. Edhe pashmangshëm drejt asaj që po e përfundon mandatin, dhe zgjedhjeve të reja. Edhe zoti Kurti në mesazhin e tij që e jepte në Londër ishte i qartë se i ka shterë mundësitë, sipas perspektivës së tij. Megjithëse përpjekjet e partisë së parë për të krijuar shumicën nuk kanë qenë serioze dhe përpjekje për të themeluar institucionet…”, ka thënë Ismajli.
Sipas tij, partitë politike në Kosovë veprojnë brenda interesave të ngushta personale dhe nuk po arrijnë të mendojnë për interesin shtetëror. Ai theksoi se emancipimi politik po ndodh më shumë te qytetarët sesa te vetë partitë politike.
“Vitet e fundit kemi degradim të hierarkisë të vlerave politike. Partitë politike asgjë nuk shohin përtej interesit të ngushtë personal. Edhe zgjedhjet lokale që u mbajtën e treguan atë emancipimin që po ndodh, më shumë kemi emancipim të votuesve se sa të partive politike. E pabesueshme të imagjinohet që partitë politike shqiptare, 25 vjet pasluftës e bllokojnë shtetin për 8 muaj nuk themelojnë institucionet, për shkak të interesit puro politike.
E kam përmendur edhe një herë, gjithë kjo sjellje antishtetërore, antikombëtare, sjelle jo korrekte politike nëse themi më butë bëhet për shkak të mungesës së një opsioni të ri politik në Kosovë.
D.m.th. sado që degradohet partia e parë, nuk është që nuk po degradohen partitë opozitare. Se secili ka përgjegjësi, natyrshëm partia e parë e ka përgjegjësinë kryesore, por pa përgjegjësi nuk janë as partitë opozitare. Të cilat kanë ra në lojën partisë së madhe… nuk kemi mendim dhe vizion të shtetarit, i cili mendon për interesin e Kosovës. Llogariteni prej shkurtit sa vendime do të mërenin në të mirën e qytetarëve”, ka thënë Ismajli.