Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë përfunduar procesin e dërgimit të konfirmimeve për të gjithë personat që do të ndjekin nga afër seancat e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas njoftimit, konfirmimet janë dërguar për të gjithë ata që do të jenë të pranishëm në objektin e DHSK-së gjatë seancave përmbyllëse, të cilat janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt teksa theksohet se janë bërë përpjekje që të plotësojnë sa më shumë kërkesa për pjesëmarrje në galerinë për publikun, por për shkak të interesimit të madh, numri i vendeve ka qenë i kufizuar.
DHSK sqaron se personat që nuk kanë marrë një email konfirmues nuk kanë mundur të akomodohen për mungesë të vendeve të lira.
Po ashtu, nga Dhomat e Specializuara rikujtohet se seancat mund të ndiqen edhe online nga publiku i gjerë, përmes transmetimit në faqen zyrtare të institucionit, në tri gjuhët zyrtare të gjykatës – shqip, anglisht dhe serbisht – me një vonesë prej 45 minutash.
“Të gjitha konfirmimet i janë dërguar personave që do të ndjekin seancën e deklaratave përmbyllëse në objektin e DHSK-së në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, që është caktuar të mbahet më 9-13 shkurt. Jemi përpjekur që t’i përgjigjemi të gjitha kërkesave për t’u ulur në galerinë për publikun sa më shumë që ishte e mundshme, megjithatë, interesimi për të ndjekur seancat ishte i lartë, dhe prandaj vendet në galerinë për publikun ishin të kufizuara, që do të thotë se nuk kishte vende në dispozicion për të gjithë ata që kishin bërë kërkesë. Në qoftë se nuk keni marrë email konfirmues, atëherë fatkeqësisht nuk kishte vende të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës suaj. Ju kujtojmë se seancat gjithashtu mund të përcillen nga çdokush në internet në të tri gjuhët e gjykatës, shqipe, anglishte dhe serbishte, përmes transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me 45 minuta vonesë”, thuhet në njoftim.