Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e tij të parë për një media apo gazetar në Kosovë gjatë dhe pas përfundimit të mandatit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në këtë intervistë të detajuar, Mehaj flet hapur për gjendjen e sigurisë në vend, zhvillimin dhe armatosjen moderne të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërtimin e industrisë së mbrojtjes, si dhe për rrugën strategjike të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
Ish-ushtaraku Mehaj jep sqarime të drejtpërdrejta mbi marrëveshjet e bëra personalisht shtet me shtet për armatimit, kapacitetet reale ushtarake të Kosovës dhe rolin e FSK-së në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe euroatlantike.
Kjo intervistë ekskluzive vjen në një kohë të ndjeshme për sigurinë në Ballkan, mes paralajmërimeve të mercenarëve serbë dhe tensioneve të vazhdueshme në rajon, duke ofruar një pasqyrë të qartë nga njeriu që udhëhoqi transformimin më të madh të ushtrisë së Kosovës që nga paslufta.
Megjithatë, vetë Mehaj në krye të intervistës vlerëson se siguria në Kosovë është në nivelin më të lartë historik, falë ndërtimit sistematik të kapaciteteve mbrojtëse dhe armatosjes moderne të FSK-së në koordinim me SHBA-në dhe partnerët e NATO-s.
“Siguria në Republikën e Kosovës sot është në një nivel dukshëm më të lartë dhe më të qëndrueshëm se në çdo periudhë tjetër historike. Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të fundit, ka bërë që territori i Kosovës të jetë shumë më i vështirë për çdo përpjekje destabilizuese ose kërcënim të jashtëm. Çdo tentativë për të cenuar sigurinë e vendit përballet sot me një realitet krejtësisht të ri”, thotë Mehaj.
Ai paralajmëron se mercenarët serbë dhe strukturat ushtarake të Serbisë vazhdojnë të jenë të lidhura ngushtë me interesat ruse, duke e pozicionuar Serbinë larg integrimit euroatlantik.
Një nga pikat kyçe të intervistës është armatimi i FSK-së. Mehaj konfirmon blerjen e mjeteve ajrore pa pilot “Bajraktar” dhe “Puma”, sistemeve kundërtanke OMTAS, si dhe pajisje të tjera të avancuara nga Turqia dhe shtete partnere.
“Kosova është më e fortë ushtarakisht sesa perceptohet zakonisht në opinion. Për më tepër, vendi ka kapacitete të jashtëzakonshme ushtarake, të cilat janë vlerësuar edhe nga shtete të tjera të rajonit. Disa prej tyre, edhe pse pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut para nesh, kanë treguar interes dhe respekt për zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thotë Mehaj.
Kujtojmë se për herë të parë, Kosova ka hedhur hapa konkretë drejt ndërtimit të industrisë së saj të mbrojtjes. Mehaj e konsideron këtë si një nga arritjet më të mëdha të mandatit të tij.
“Një sfidë madhore, e cila njëkohësisht përbën edhe një ndër arritjet më të rëndësishme, ka qenë inicimi dhe konkretizimi i industrisë së mbrojtjes në Republikën e Kosovës, duke filluar me vendosjen e prodhimit vendor të municionit”.
Ish-ministri Mehaj shprehet i bindur se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i pashmangshëm, por thekson se ky proces kërkon angazhim të koordinuar shtetëror.
Megjithatë, ai rikujton se anëtarësimi nuk është vetëm çështje ushtarake, por shtetërore.
“Unë e kam theksuar vazhdimisht dhe e përsëris edhe tani se Kosova patjetër do të jetë shteti i 33-të që do të anëtarësohet në NATO. Kosova nuk anëtarësohet në NATO si ushtri, por si shtet. Për këtë arsye, të gjithë mekanizmat e shtetit duhet të angazhohen në mënyrë të koordinuar”, u shpreh ish-ministri Mehaj.
Intervista e plotë:
RTV Dukagjini: Si e shihni gjendjen e sigurisë në Kosovë aktualisht, duke pasur parasysh paralajmërimet e fundit të mercenarëve serbë në Ukrainë për vendin tonë dhe rajonin e Ballkanit?
Armend Mehaj: Siguria në Republikën e Kosovës sot është në një nivel dukshëm më të lartë dhe më të qëndrueshëm se në çdo periudhë tjetër historike. Ky nuk është një rezultat i rastësishëm, por pasojë e ndërtimit të kujdesshëm dhe sistematik të kapaciteteve mbrojtëse, të profesionalizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të armatosjes së saj moderne, në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë strategjikë.
Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të fundit, ka bërë që territori i Kosovës të jetë shumë më i vështirë për çdo përpjekje destabilizuese ose kërcënim të jashtëm. Çdo tentativë për të cenuar sigurinë e vendit përballet sot me një realitet krejtësisht të ri.
Sa i përket mercenarëve serbë, duhet theksuar se ata nuk janë një fenomen i izoluar në Ukrainë. Ata veprojnë të koordinuar dhe janë instrumentalizuar nga politika dhe strukturat shtetërore serbe, dhe historikisht kanë qenë të pranishëm në çdo vatër ku ndërthuren interesat serbe dhe ruse. Në këtë kuadër, si mercenarët serbë, ashtu edhe Ushtria e rregullt e Serbisë, vazhdojnë të jenë të pozicionuar në përputhje të drejtpërdrejtë me interesat strategjike ruse, duke i larguar ata nga çdo perspektivë reale e integrimit euro-atlantik.
RTV Dukagjii: Si do ta përshkruanit rrugëtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë mandatit tuaj?
Armend Mehaj: Që në fillim dua të theksoj se ka qenë nderi më i madh i jetës sime të drejtoj Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, në një fazë shumë delikate për transformimin e saj dhe në kontekstin e gjendjes së Kosovës në atë kohë.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë dhe mbetet gjithmonë nën monitorimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-s, gjë që ka mundësuar përgatitjen e saj për çdo situatë, përfshirë edhe skenarët më kompleks të sigurisë.
Rrugëtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt transformimit, i parashikuar nga ndryshimet ligjore të miratuara nga Qeveria e Kosovës gjatë mandatit të Kryeministrit Ramush Haradinaj, ka qenë një proces i suksesshëm. Mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës u përcaktua me kornizë ligjore të qartë, me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fati ka dashur që unë të jem në krye të këtij procesi si ministër në një kohë shumë delikate, por rezultatet e arritura janë të dukshme dhe të rëndësishme.
Përkrahja e Kryeministrit Albin Kurti ka qenë e plotë dhe ky fakt ka qenë thelbësor për ngritjen e kapaciteteve tona të mbrojtjes. Me mbështetjen e mekanizmave të Ministrisë së Mbrojtjes, kemi arritur të përshpejtojmë në mënyrë të konsiderueshme procesin e fazës së tranzicionit dhjetëvjeçar, duke tejkaluar shumë prej fazave të parashikuara me ritme më të shpejta sesa planifikohej.
RTV Dukagjini: Cila ishte arritja më e madhe dhe çka konsideroni si vështirësinë më e madhe gjatë mandatit tuaj?
Armend Mehaj: Arritja jonë më e madhe gjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës ka qenë konsolidimi i plotë i bazës ligjore dhe institucionale për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në këtë kuadër, janë miratuar dhe plotësuar ligje thelbësore, si heqja e kufizimit të numrit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, miratimi i Ligjit për Policinë Ushtarake dhe Ligjit për Inteligjencën Ushtarake, të cilat kanë krijuar themele të qëndrueshme për funksionimin modern dhe profesional të saj.
Një arritje e rëndësishme strategjike ka qenë gjithashtu nënshkrimi i marrëveshjeve për blerjen e pajisjeve të avancuara ushtarake, përfshirë mjetet ajrore pa pilot “Bajraktar”, mjetet ajrore pa pilot të tipit “Puma”, si dhe pajisje të tjera moderne nga shteti mik i Turqisë, përfshirë sistemet kundërtanke të tipit “OMTAS”. Po ashtu, janë iniciuar dhe nënshkruar marrëveshje shtet me shtet, të cilat kanë hapur rrugën për shumë blerje të mëvonshme strategjike në fushën e mbrojtjes.
Një sfidë madhore, e cila njëkohësisht përbën edhe një ndër arritjet më të rëndësishme, ka qenë inicimi dhe konkretizimi i industrisë së mbrojtjes në Republikën e Kosovës, duke filluar me vendosjen e prodhimit vendor të municionit. Ky proces ka qenë kompleks dhe kërkues, por është realizuar me sukses. Për këtë iniciativë ekzistojnë dëshmi dhe mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë, ministra e ish-ministra, disa prej të cilëve vazhdojnë ende të jenë pjesë e institucioneve qeveritare.
Një tjetër arritje e rëndësishme ka qenë përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe i kapaciteteve logjistike të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky proces përfshiu sigurimin e pronësisë institucionale mbi asetet e ushtrisë, duke e bërë ushtrinë pronare të pronave të veta. Ky përparim është dokumentuar në shumë dokumente zyrtare dhe është prezantuar publikisht, përfshirë shpronësimet strategjike, si në Babajt të Bokës dhe Aeroportin e Gjakovës, e të tjera.
Në planin operacional, një arritje e veçantë ka qenë pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrimet shumëkombëshe “Defender Europe 2021” dhe “Defender Europe 2023”, si dhe validimi i shumë njësive dhe batalioneve sipas standardeve ndërkombëtare. Është shënuar rritje e ndjeshme e nivelit të trajnimeve, disiplinës dhe standardeve ushtarake, në përputhje të plotë me praktikat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në planin ndërkombëtar, Forca e Sigurisë së Kosovës ka rritur dukshëm rolin dhe kredibilitetin e saj si partner serioz i sigurisë rajonale. Një arritje historike ka qenë dërgimi i pjesëtarëve të saj në misione paqeruajtëse jashtë vendit, proces i realizuar në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar. Pa anashkaluar edhe sigurimin e sistemeve kundërtanke amerikane dhe pajisjeve të tjera ushtarake nga shtete partnere si Kroacia, Gjermania, Italia, Turqia dhe vende të tjera mike, të cilat përbëjnë bazën për zhvillime dhe marrëveshje të mëtejshme në të ardhmen.
RTV Dukagjini: Duke ditur se ju keni ardhur nga Norvegjia për të shërbyer në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, a keni mundur të implementoni ndonjë gjë nga vendet nordike në ministri?
Armend Mehaj: Po, unë kam ardhur nga ushtria norvegjeze pas një karriere të gjatë atje për t’i shërbyer vendlindjes sime. Gjatë kësaj kohe, nuk kam marrë vetëm modele nga ushtria norvegjeze, por edhe praktika nga ushtria amerikane dhe nga ushtri të tjera, të cilat i kemi implementuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Disa nga këto implementime përfshijnë: Standardizimin e procedurave në procesin e rekrutimeve; Rritjen e pagave sipas gradave dhe përgjegjësive, një aspekt ku ende ka hapësirë për përmirësim; Zhvillimin e diplomacisë ushtarake dhe zgjerimin e rrjetit të atasheve ushtarakë në vende partnerë; Edukimin dhe trajnimin për siguri, përmes programeve të organizuara në shkolla dhe baza ushtarake; Bashkëpunimin institucional dhe rajonal, i modeluar sipas praktikave të vendeve skandinave, dhe Bashkëpunime të ndryshme në fushat sociale dhe kulturore, si projekte me shkolla, aktivitete sportive si Judo, dhe iniciativa të tjera që lidhin më shumë qytetarët me Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Këto masa kanë kontribuar në profesionalizimin e ushtrisë, rritjen e besueshmërisë së saj dhe forcimin e lidhjes së komunitetit me institucionet e sigurisë.
RTV Dukagjini: Si e shihni rrugëtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe pasuesin tuaj tani që nuk jeni pjesë e saj?
Armend Mehaj: Mendoj se Forca e Sigurisë së Kosovës ka ecur mirë gjatë gjithë këtij procesi dhe vazhdon të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme. Edhe ministri që më ka pasuar mua, kolonel Maqedonci, po vazhdon rrugën që ne e kemi trasuar, duke respektuar standardet dhe vizionin e vendosur gjatë mandatit tim.
RTV Dukagjini: Muaj më parë, në një kundërpërgjigje për presidentin serb Aleksandër Vuçiq, keni thënë se Kosova është më e fortë ushtarakisht sesa mendohet. A mund të na tregoni më shumë rreth kësaj?
Armend Mehaj: Po, Kosova është më e fortë ushtarakisht sesa perceptohet zakonisht në opinion. Për më tepër, vendi ka kapacitete të jashtëzakonshme ushtarake, të cilat janë vlerësuar edhe nga shtete të tjera të rajonit. Disa prej tyre, edhe pse pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut para nesh, kanë treguar interes dhe respekt për zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
RTV Dukagjini: Në po të njëjtin reagim, keni treguar për marrëveshje të tjera armatimi gjatë mandatit tuaj, teksa thoni se “ka shumë armatim që as në ëndërr nuk e kemi parë”. Për çfarë bëhet fjalë?
Armend Mehaj: Mendoj se koha do ta dëshmojë këtë. Është një fat i madh që i gjithë angazhimi ynë në këtë drejtim është i dokumentuar dhe i arkivuar, dhe me kalimin e kohës do të dalin në dritë dokumentet, marrëveshjet dhe kontratat që e konfirmojnë këtë zhvillim. Aktualisht, shumë pajisje ushtarake dhe logjistikë mbështetëse janë dorëzuar dhe vazhdojnë të arrijnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Po ashtu, i gjithë armatimi, sidomos ai i gjeneratës së fundit, kërkon trajnime të avancuara. Forca e Sigurisë së Kosovës është vazhdimisht në hap me këtë kërkesë, ku pjesëtarët e saj tregojnë përgjegjësi të lartë dhe motivim të jashtëzakonshëm në kryerjen e detyrave profesionale.
RTV Dukagjini: A ka Forca e Sigurisë së Kosovës buxhet të mjaftueshëm për të realizuar synimet dhe projeksionet dekadëshe të saj?
Armend Mehaj: Kur kam marrë mandatin si ministër i Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës ka pasur një buxhet modest. Gjatë kohës që kam qenë në krye të Ministrisë, kemi punuar në vazhdimësi për rritjen e buxhetit, dhe kjo rritje është realizuar me sukses. Ky trend ka vazhduar edhe më pas dhe është e domosdoshme të vazhdojë në të ardhmen. Një buxhet i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm nuk është vetëm garanci për zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, por lidhet gjithashtu ngushtë me sigurinë kombëtare, zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve, arsimin cilësor dhe zhvillimin e bujqësisë.
RTV Dukagjini: Sipas pikëpamjes tuaj, kur do të jetë e gatshme Forca e Sigurisë së Kosovës të bëhet pjesë e NATO-s, duke ditur se ka vullnet nga ana e Kosovës?
Armend Mehaj: Mendoj se një angazhim më i madh i drejtuesve të shtetit tonë, si dhe një pragmatizëm i atyre që udhëheqin sektorin e mbrojtjes, do të sjellë rezultate konkrete. Unë e kam theksuar vazhdimisht dhe e përsëris edhe tani se Kosova patjetër do të jetë shteti i 33-të që do të anëtarësohet në NATO. Anëtarësimi në Aleancë përbën jo vetëm siguri për vetë NATO-n, por edhe për Ballkanin, që është i brishtë politikisht, si dhe për Evropën në tërësi.
Megjithatë, duhet theksuar se Kosova nuk anëtarësohet në NATO si ushtri, por si shtet. Për këtë arsye, unë kam iniciuar krijimin e një grupi pune për Partneritetin për Paqe (Partnership for Peace – PFP) në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme. Të gjithë mekanizmat e shtetit duhet të angazhohen në mënyrë të koordinuar për realizimin e këtij procesi të rëndësishëm.
RTV Dukagjini: Cili është mesazhi juaj për të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e saj?
Armend Mehaj: Mesazhi im për të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës është që të vazhdojnë t’i shërbejnë vendit dhe ushtrisë sonë me motiv, dashuri dhe zgjuarsi. Shërbimi në ushtri dhe për sigurinë e atdheut është detyra më e rëndësishme e çdo njeriu në jetë. Si ish-ushtarak profesionist, mund të them se nuk ka nder më të madh se shërbimi nën uniformë për atdheun.
Kështu respektohen amanetet e të gjithë dëshmorëve të kombit, të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të invalidëve dhe të gjithë viktimave të kombit tonë, duke përfshirë edhe komandantin Adem Jashari dhe shumë të tjerë. Faktor kyç mbetet njeriu, ndërsa aleancat nuk mungojnë. Kosova së shpejti do të jetë jo vetëm konsumues i sigurisë, por edhe sponsorizuese e saj, duke kontribuar në paqe dhe stabilitet rajonal.
