Irani ka paralajmëruar se do ta mbyllë plotësisht Ngushticën e Hormuzit nëse presidenti amerikan Donald Trump realizon kërcënimin për të shkatërruar centralet energjetike të vendit.
Sipas zhvillimeve të fundit, Trump i ka dhënë Iranit një afat prej 48 orësh për të rihapur këtë rrugë jetike për transportin global të naftës, duke paralajmëruar se në të kundërt SHBA do të godasë infrastrukturën energjetike iraniane.
Nga ana tjetër, një zyrtar iranian ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për trafikun detar, por jo për anijet që lidhen me “armiqtë” e Iranit, ndërsa incidente me shpërthime pranë anijeve janë raportuar gjatë natës.
Garda Revolucionare Islamike ka theksuar se, nëse SHBA ndërmerr sulme të reja, ngushtica nuk do të rihapet derisa të rindërtohen objektet energjetike të dëmtuara.
Siç raporton BBC, nalistët vlerësojnë se heqja e bllokadës së Hormuzit do të nënkuptonte që Irani të humbte një nga levat kryesore të presionit në këtë luftë, pasi kjo rrugë përbën një pikë kyçe për furnizimin global me energji.
