Irani do të godasë bazat ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme nëse sulmohet nga forcat amerikane të dislokuara në rajon, deklaroi të shtunën ministri i Jashtëm iranian, duke theksuar se kjo nuk duhet të shihet si sulm ndaj vendeve pritëse të këtyre bazave.
Ministri i Jashtëm Abbas Araqchi i bëri këto deklarata për televizionin Al Jazeera në Katar, një ditë pasi Teherani dhe Uashingtoni u zotuan të vazhdojnë bisedimet indirekte për çështjen bërthamore, pas asaj që të dyja palët e përshkruan si diskutime pozitive të mbajtura të premten në Oman, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Araqchi tha se ende nuk është caktuar një datë për raundin e ardhshëm të negociatave, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ato mund të zhvillohen që në fillim të javës së ardhshme.
“Ne dhe Uashingtoni besojmë se ato duhet të mbahen së shpejti,” tha Araqchi.
Trump ka kërcënuar Iranin me sulme ushtarake pas grumbullimit të forcave detare amerikane në rajon, duke kërkuar që Teherani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit – një proces që mund të çojë në prodhimin e armëve bërthamore – si dhe të ndalojë zhvillimin e raketave balistike dhe mbështetjen për grupet e armatosura në rajon.
Irani ka mohuar vazhdimisht se synon ta përdorë programin bërthamor për qëllime ushtarake.
Ndërsa të dyja palët kanë sinjalizuar gatishmëri për ringjalljen e diplomacisë lidhur me mosmarrëveshjen bërthamore të Iranit me Perëndimin, Araqchi kundërshtoi zgjerimin e agjendës së bisedimeve.
“Çdo dialog kërkon heqjen dorë nga kërcënimet dhe presioni. Teherani diskuton vetëm çështjen bërthamore… Ne nuk diskutojmë asnjë çështje tjetër me SHBA-në,” tha ai.
Qershorin e kaluar, SHBA-ja bombardoi objekte bërthamore iraniane, duke u përfshirë në fazat e fundit të një fushate 12-ditore bombardimesh të Izraelit.
Pas kësaj, Teherani deklaroi se kishte ndaluar aktivitetet e pasurimit të uraniumit.
Si përgjigje, Irani kreu një sulm me raketa ndaj një baze amerikane në Katar, vend që mban marrëdhënie të mira si me Teheranin ashtu edhe me Uashingtonin.
Në rast të një sulmi të ri amerikan, pasojat mund të jenë të ngjashme, paralajmëroi Araqchi.
“Nuk do të ishte e mundur të sulmohej territori amerikan, por do të godasim bazat e tyre në rajon. Nuk do të sulmojmë vendet fqinje; do të synojmë bazat amerikane të vendosura në to. Ka një dallim të madh mes këtyre dy gjërave”, deklaroi ai.
Irani thekson se kërkon njohjen e të drejtës së tij për pasurimin e uraniumit dhe se përfshirja e programit raketor në negociata do ta linte vendin të pambrojtur ndaj sulmeve izraelite.