sh-presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, është dënuar me burgim të përjetshëm nën akuzat se ka organizuar një përpjekje për kryengritje, pas tentativës së tij të dështuar për të vendosur sundimin ushtarak në dhjetor të vitit 2024.
65-vjeçari kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe kishte tentuar të impononte rregull ushtarak, por urdhri i tij zgjati vetëm gjashtë orë. Megjithatë, ai tronditi vendin, paralizoi pjesërisht institucionet shtetërore dhe i kushtoi partisë së tij humbjen në zgjedhjet pasuese.
Vendimi i gjykatës vjen në një klimë të thellë përçarjeje politike në vend. Mbështetës të Yoon-it u mblodhën jashtë gjykatës për të protestuar kundër dënimit.
Ai tashmë po vuan një tjetër dënim me burg lidhur me urdhrin për shpalljen e sundimit ushtarak dhe përballet me edhe dy procese të tjera gjyqësore që lidhen me të njëjtën çështje, raporton BBC.
Historia politike e Koresë së Jugut është shoqëruar shpesh me trazira dhe përmbysje dramatike të pushtetit.
Presidenti i parë i vendit, Syngman Rhee, dha dorëheqje në vitin 1960 pasi rizgjedhja e tij çoi në protesta të përgjakshme të udhëhequra nga studentët. Ai u arratis në Havai, ku vdiq në vitin 1965.
Në vitin 1961, lideri ushtarak Park Chung-hee mori pushtetin përmes një grushti shteti duke rrëzuar pasardhësin e Rhee-së. Ai u bë gjithnjë e më autoritar dhe u vra më vonë nga shefi i shërbimit sekret.
Një tjetër komandant ushtarak, Chun Doo-hwan, erdhi në pushtet në vitin 1980 pas një tjetër grushti shteti. Ai njihet si diktator dhe, në vitin 1996, u dënua me burg për korrupsion dhe për rolin e tij në grushtin e shtetit dhe masakrën e Gwangju-së. Edhe pasardhësi i tij, Roh Tae-woo, u burgos për të njëjtat çështje. Të dy u falën pas dy vitesh.
Në vitin 2002, avokati për të drejtat e njeriut Roh Moo-hyun fitoi zgjedhjet si kandidat i papritur, por pas largimit nga detyra u përball me akuza për korrupsion dhe më vonë i dha fund jetës.
Ish-CEO i Hyundai-t, Lee Myung-bak, fitoi zgjedhjet e vitit 2007 me rezultat të thellë.
Ai u pasua nga Park Geun-hye, vajza e Park Chung-hee. Park u shkarkua nga detyra dhe u burgos për korrupsion, në një skandal që përfshinte një udhëheqëse të një kulti shamanik.
Edhe Lee u dënua për ryshfet. Të dy morën dënime me burg, por më pas u falën.