LIVE: Izraeli sulmon Iranin në koordinim me SHBA-në

09:15 – Presidenti i Iranit është i sigurt, thonë mediat shtetërore iraniane

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, është gjallë, raportoi agjencia shtetërore iraniane Islamic Republic News Agency (IRNA), duke cituar një burim pranë presidencës.

Pezeshkian “është në gjendje të mirë shëndetësore,” tha IRNA në një postim të shkurtër në Telegram.


09:04 – Netanyahu e quan operacionin kundër Iranit “Ulërima e Luanit”

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka emërtuar “Ulërima e Luanit” operacionin ushtarak të nisur nga Izraeli kundër Iranit.

Sipas Haaretz, sulmet ndaj objektivave iraniane po vazhdojnë, ndërsa rritet rreziku i një kundërpërgjigjeje nga Teherani, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.

Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar përgatitje për reagim ushtarak dhe kanë vendosur në gatishmëri strukturat e emergjencës dhe mbrojtjes.


08:54 – Trump: Mund të ketë viktima nga operacioni ushtarak në Iran

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se jetë amerikane mund të humben si rezultat i operacionit të tij ushtarak brenda Iranit.

“Regjimi iranian kërkon të vrasë. Jetët e heronjve të guximshëm amerikanë mund të humben dhe ne mund të kemi viktima — kjo ndodh shpesh në luftë — por ne po e bëjmë këtë jo për të tashmen. Po e bëjmë për të ardhmen, dhe është një mision fisnik,” tha presidenti.

Ai shtoi se SHBA ka “ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të minimizuar rrezikun për personelin amerikan në rajon.”


08:39 – Trump konfirmon nisjen e fushatës ushtarake të SHBA-së në Iran

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kanë nisur një fushatë ushtarake në Iran.

Trump nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetin social Truth, u shpreh se objektivi i vetëm i tyre është që të mbrojnë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e afërta nga regjimi iranian, njofton Dukagjini.

“Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e afërta nga regjimi iranian, një grup i egër, njerëz shumë të ashpër dhe të tmerrshëm. Aktivitetet e tij kërcënuese rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë vendit dhe aleatët tanë në mbarë botën,” deklaroi Trump në mesazhin katërminutësh.

Trump, mes tjerash, u shpreh se ky regjim nuk do të ketë kurrë qasje në armët bërthamore.

“Për 47 vjet, regjimi iranian ka brohoritur ‘Vdekje Amerikës’ dhe ka zhvilluar një fushatë të pandërprerë gjakderdhjeje dhe vrasjesh masive, duke shënjestruar Shtetet e Bashkuara, trupat tona dhe njerëzit e pafajshëm në shumë e shumë vende,” tha ai.


08:12 Izraeli ndalon aktivitetet jo të rëndësishme pas sulmit ndaj Iranit

Pas sulmit të ndërmarrë kundër Iranit, Komanda e Frontit të Brendshëm në Izrael ka urdhëruar qytetarët të kryejnë vetëm aktivitete thelbësore në të gjithë vendin.

Sipas mediave izraelite, masat e reja ndalojnë grumbullimet publike, vajtjen në punë dhe zhvillimin e mësimit në shkolla. Përjashtim bëhet vetëm për sektorët që autoritetet i konsiderojnë si “sektorë thelbësorë”.


07:40 – Izraeli sulmon Iranin në koordinim me SHBA-në

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme të përbashkëta kundër Iranit, duke shënuar një përshkallëzim të madh të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se Izraeli ka ndërmarrë një “sulm parandalues”, ndërsa në të gjithë vendin është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të pritshmërisë së kundërpërgjigjes iraniane me dronë dhe raketa balistike.

Si masë sigurie, Izraeli ka mbyllur hapësirën ajrore, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.

Tre zyrtarë amerikanë konfirmuan për CNN se edhe SHBA po kryen sulme ndaj Iranit, duke i cilësuar ato si “jo një sulm i vogël” dhe duke theksuar se operacioni është në zhvillim. Sipas raportimeve, goditje janë shënuar në disa qytete iraniane, përfshirë Teheranin, Isfahanin, Qomin, Karajin dhe Kermanshahun.

Agjencia shtetërore iraniane Fars News Agency raportoi për shpërthime dhe tym që ngrihet mbi kryeqytet.

Përpara nisjes së sulmeve, Donald Trump kishte dërguar sinjale të përziera lidhur me mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake.

Ai kishte deklaruar se SHBA kishte zhvendosur një “armadë” drejt rajonit “për çdo rast”, por njëkohësisht kishte thënë se preferonte dialogun me Teheranin. Në një fjalim në World Economic Forum në Davos, ai u shpreh se Irani dëshiron të negociojë dhe se SHBA është e gatshme për bisedime.

Trump e kishte justifikuar qëndrimin e ashpër me nevojën për të ndaluar regjimin iranian nga përdorimi i forcës vdekjeprurëse kundër protestuesve.

Sipas raportimeve nga organizata për të drejtat e njeriut, mijëra persona janë vrarë që nga nisja e protestave antiqeveritare, ndonëse shifrat ndryshojnë nga ato të publikuara nga autoritetet iraniane dhe nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Situata në rajon mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, ndërsa frika për një përshkallëzim të mëtejshëm dhe një konflikt më të gjerë vazhdon të rritet.

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika