Forcat izraelite, të mbështetura nga kolonë hebrenj, kanë ndërmarrë për herë të dytë brenda një muaji zhvendosjen me forcë të banorëve palestinezë nga komuniteti beduin Arab al-Malihat, që ndodhet në perëndim të Jerikos, në Bregun Perëndimor. Lajmi është konfirmuar nga Muayyad Shaban, kryetar i Komisionit për Rezistencë ndaj Kolonizimit dhe Murit pranë Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), për agjencinë turke Anadolu.
Sipas Shaban, kjo zhvendosje është kryer në kundërshtim me një vendim paraprak të gjykatës izraelite, e cila kishte njohur të drejtën e banorëve për të qëndruar në tokën e tyre. Ai e ka përshkruar operacionin si një “shkelje flagrante të ligjit”, duke akuzuar kolonët izraelitë për djegien e shtëpive dhe pronave, si dhe për ushtrim dhune ndaj banorëve dhe aktivistëve ndërkombëtarë.
Shaban theksoi se ky veprim është pjesë e një plani më të gjerë për zgjerimin e vendbanimeve izraelite, të mbështetur nga figura kyçe të qeverisë, si ministri i Financave, Bezalel Smotrich, dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir. Ai nënvizoi se zona ku ndodhet komuniteti Arab al-Malihat ka rëndësi të madhe strategjike, pasi ndodhet në një nyje lidhëse mes Jerikos dhe pjesëve të tjera të Bregut Perëndimor.
Banorët e këtij komuniteti e kishin rindërtuar vendbanimin të enjten e kaluar, pasi gjykata izraelite ua kishte njohur të drejtën për t’u rikthyer pas zhvendosjes së parë më 4 korrik. Megjithatë, prej asaj kohe, dhuna dhe ndërhyrjet e kolonëve dhe forcave izraelite janë shtuar ndjeshëm.
Sipas të dhënave zyrtare palestineze, vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, janë zhvendosur me forcë 38 komunitete beduine nga Bregu Perëndimor si pasojë e dhunës së vazhdueshme nga kolonët izraelitë.
Ndërkohë, edhe pse në korrik të vitit të kaluar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin e territoreve palestineze nga Izraeli si të paligjshëm dhe kërkoi largimin e menjëhershëm të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, ky vendim deri më tani nuk ka sjellë ndonjë ndalim të zhvendosjeve të detyruara apo të përshkallëzimit të dhunës në territoret e pushtuara.