Një 16-vjeçar, i dënuar me dy vjet burgim për tentim vrasje me thikë, rrëfen përjetimet dhe përplasjet që e sollën në pranga, duke pretenduar pafajësi të plotë.
Në një intervistë për emisionin “Prapa Grilave” nga burgu, ai përshkruan jetën e tij para aktit, ngjarjen kritike që e ndryshoi jetën, procesin gjyqësor dhe jetën pas grilave.
Ai tregon se viktima e rastit kishte pasur një mosmarrëveshje me djalin e axhës së tij, e më pas bashkë me dy djemtë e axhës kishin shkuar për “ta nxjerr hakun”.
“Djali i mixhës tim i vogli, e ka godit me thikë edhe më ka mbetur mua faji pa pasu faj hiq. Ai i ka 12 vjet. Ai vllau i tij më i madh. Ai vëllai i tij më i madh ai vetëm ka qenë me boks të hekurit ai i ka sjellë u liru, ai vëllai i tij i vogël 12 vjeçar e ka therrë ata të dy janë në liri, unë jam këtu. Jam i pafajshëm.”
“Ai më ka goditur mua boks në fytyrë. Viktima, po, më ka goditë me boks në fytyrë, ja kemi nis me i sillë njëri tjetrit. E ka nxjerrë thikën ky 12 vjeçari e ka goditë 8 herë në shpinë. Edhe ky djali i axhës po thu me boks të hekurit ka sjellë me të. Po në trup vetëm jo në fytyrë. Ka shpëtu ai, ka qëndru 6 ditë në spital, ka shpëtu ka dalë, na ka falë krejt”, ka rrëfyer 16-vjeçari.
Ai thekson se edhe dëshmitë e tjera nuk e implikojnë atë drejtpërdrejt dhe se asnjë provë fizike nuk është gjetur ndaj tij.
“Nuk e kam bërë 100% jam i sigurt edhe deri në vdekje nuk e pranoj këtë gjë… Nuk ka pasur prova hiq. As thikë, as boks të hekrit as asgjë nuk kanë gjetur. As unë nuk e kam pranu në Gjykatë, edhe nuk kam me pranu deri në vdekje këtë gjë, se më kanë pëfshirë dikush pa faj”, ka shtuar i riu.