Morgan McSweeney ka dhënë dorëheqje nga posti i shefit të kabinetit të kryeministrit britanik, Sir Keir Starmer, pas reagimeve të forta lidhur me skandalin e emërimit të Lord Peter Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA.
Njeriu më i afërt i Starmerit u tërhoq nga detyra pasi u bë e ditur se ai kishte këmbëngulur për emërimin e Mandelsonit, pavarësisht se ishte paralajmëruar dy herë nga nëpunës civilë për lidhjet e këtij të fundit me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Në deklaratën e dorëheqjes, McSweeney pranoi përgjegjësinë e plotë për vendimin, duke thënë se emërimi ishte një gabim i rëndë.
“Vendimi për të emëruar Peter Mandelson ishte i gabuar. Ai ka dëmtuar partinë tonë, vendin dhe besimin në politikë. Kur u pyeta, unë e këshillova kryeministrin ta bënte këtë emërim dhe marr përgjegjësinë e plotë për këtë këshillë”, tha ai.
Dorëheqja e McSweeneyt shihet si një përpjekje e fundit për të ndalur rënien e autoritetit politik të Sir Keir Starmer, i cili prej më shumë se një viti e gjysmë po përballet me vështirësi serioze në drejtimin e qeverisë.
Lord Mandelson u emërua në këtë post, ndonëse Downing Street kishte dijeni për miqësinë e tij të vazhdueshme me Epstein edhe pas dënimit të këtij të fundit për krime seksuale.
Zbulime të reja mbi lidhjet mes dy burrave e kanë futur Starmerin në krizën më të thellë të mandatit të tij si kryeministër.
Ndërkohë, deputetë të pakënaqur të Partisë Laburiste kishin paralajmëruar se do të mbështesnin një sfidë për udhëheqjen e partisë, nëse McSweeney nuk do të largohej nga posti.