Është pothuajse e pamundur që burri me çorape, dorëza e xhaketa me shkëlqim që bën lëvizjen e ecjes në hënë si pjesë e kërcimit të tij ikonik, të mos jetë pjesë e kujtimeve të gjeneratave më të hershme e pa përjashtuar edhe disa nga ato më vonë.
I cilësuar si ndër zërat më të mirë të brezit të tij e ai i cili u bë zëri i komunitetit me ngjyrë, Michael Jackson ishte më i riu e, njëherit, më i veçanti nga vëllezërit e tij. Saktë e thashë! Talenti rridhte në gjakun e familjes Jackson.
E me familjen edhe nisi hapat e parë në muzikë.
Përpos Michael, “Jackson 5” përbëhej nga Sigmund Jackson, Toriano Jackson, Jermaine Jackson dhe Marlon Jackson, grup i cili arriti të fitonte një kontratë me “Motown RecordsBerry” në vitin 1969.
Me një model ikonik flokësh e rroba të veshura njësoj, “Jackson 5” arriti të pushtonte zemrën e publikut me hite të njëpasnjëshme si “I Want You Back”, “ABC”, “The Love You Save” e shumë të tjera.

Siç pritej nga shumë, Michael u largua nga grupi për të ndjekur karrierën e tij si një solo artist. Këtë të fundit e nisi në vitin 1971, megjithatë ishte 8 vjet më vonë kur regjistroi albumin e tij “Off the Wall” për të shënuar siç duhej hyrjen në skenë si një artist e tekstshkrues.
Albumi kaloi të gjitha pritshmëritë, duke arritur një shitje prej më shumë se 20 milionë kopjesh.
Megjithatë, është “Billie Jean” kënga që mendohet t’i ketë dhënë kulmin karrierës së tij si solo artist në zhanrin pop. E shkruar dhe kompozuar nga vetë MJ, kjo këngë i dha atij dy Grammy, një çmim amerikan të muzikës dhe kryesoi Billboard Hot 100 për shtatë javë.
Kënga flet për një grua të fiksuar që nuk e lë të qetë këngëtarin duke e quajtur si të atin e fëmijës së saj, pjesë e mohuar vazhdimisht nga MJ deri në vdekjen e tij.
Michael thotë se “Billie Jean” është më shumë një personazh që përfaqëson grupet e shumta të grave, me të cilat atij dhe vëllezërve të tij “iu ishte ndeshur rruga” gjatë viteve.
“Billie Jean nuk është e dashura ime,
Ajo është thjeshtë një vajzë që pretendon se unë jam i duhuri,
Por fëmija nuk është imi”, thotë refreni i këngës.
AKUZAT PËR NGACMIME SEKSUALE

Pavarësisht se artisti tashmë njihej në gjithë botën, reputacioni i tij u vu në pikëpyetje kur u akuzua për ngacmim të fëmijëve.
Në një intervistë për “The Guardian”, Wade Robson dhe James Safechuck flasin për eksperiencat e tyre të fëmijërisë me MJ.
“Michael Jackson ishte një nga njerëzit më të sjellshëm dhe më të dashur që kam njohur. Ai më ndihmoi jashtëzakonisht me karrierën dhe krijimtarinë time”, thotë Wade Robson. “Ai gjithashtu më ka abuzuar seksualisht për shtatë vjet.”
Gazetarja, Hadli Freeman, shkruante se sa më shumë fliste me ta, aq më e qartë bëhet sa ngushëllim gjejnë të dy burrat duke folur së bashku dhe duke dëgjuar njëri-tjetrin.
Akuzat filluan për herë të parë në vitin 1993, kur një familje ngriti ankesë kundër tij. Rasti u rishqyrtua në vitin 2005, kur Jackson u gjyqësua për akuzat e abuzimit seksual të një djaloshi të mitur. Ai u shpall i pafajshëm nga gjykata.
I thirrur për të dëshmuar në mbrojtje të Jackson gjatë gjyqit që pasoi ishte aktori Macaulay Cuklin, i cili ishte takuar dhe bërë mik me Jackson kur ai ishte nëntë vjeç dhe Jackson ishte i rritur. Culkin tha se ata u lidhën me përvojat e tyre të përbashkëta për t’u përballur me famën në moshë të re dhe për të pasur baballarë mbizotërues. Culkin pohoi se ai kurrë nuk kishte përjetuar ndonjë gjë të papërshtatshme me Jackson.
Pas vdekjes së tij në vitin 2009, akuzat rreth tij vazhduan të diskutoheshin. Një dokumentar i titulluar “Leaving Neverland”, i publikuar në vitin 2019, prezantoi intervista me dy viktima të mundshme të abuzimit seksual, që pretendonin se Jacksoni i kishte abuzuar ata kur ishin fëmijë.
Në 1994, Jackson u martua fshehurazi me Lisa Marie Presley, vajza e Elvis Presley, por martesa e tyre zgjati më pak se dy vjet. Menjëherë pas kësaj, Jackson u martua përsëri, martesë kjo nga e cila pati fëmijë.
NDIKIMI DHE TRASHËGIMIA
Ndonëse një figurë e diskutueshme, kjo nuk vlen kur flasim për efektin e tij në komunitetin artistik e veçanërisht në shoqëri.
Ai arriti që përmes muzikës të jepte mesazhin dhe shpresën se interpretuesit me ngjyrë mund t’i dhuronin art botës pa pasur frikë të gjykoheshin. Lidhur me këtë, ai kishte dhënë edhe një hipotezë…
“Unë nuk e kuptoj racizmin. Ne jemi të gjithë njësoj dhe unë kam hipotezën perfekte për ta vërtetuar atë. Unë luaj në të gjitha ato vende dhe ata qajnë në të gjitha të njëjtat vende në shfaqjen time. Ata qeshin në të njëjtat vende. Ata bëhen histerikë në të njëjtat vende. I bie të fikët në të njëjtat vende dhe kjo është hipoteza e përsosur”.
Filmi dokumentar “This Is It”, që u nxor nga më shumë se 100 orë filmime të përpiluara gjatë provave për angazhimin e planifikuar të rikthimit të Jackson me 50 koncerte në Londër, u shfaq premierë në tetor 2009.
Gjithashtu, në 2009 videoklipi 14-minutësh muzikor i Jackson “Thriller” (1983), me regji të John Landis, u fut në Regjistrin Kombëtar të Filmit të Bibliotekës së Kongresit – videoklipi i parë muzikor që u nderua kaq shumë. Më vonë u përfshinë dokumentarë “Leaving Neverland” (2019), i cili përqendrohet në dy burra që pretendojnë se Jackson i ka abuzuar seksualisht kur ishin fëmijë. Më poshtë gjeni disa nga këngët e MJ që nuk duhen humbur.
“Thriller”
“Thriller” mbetet një ndër kryeveprat e Michael Jacksonit, e lansuar në vitin 1982.
Është e njohur për melodinë tërheqëse të saj dhe një videoklip legjendar e konsideruar shpeshherë si himni i muzikës pop me një gërshetim të pop, rock dhe funk. Dhe sigurisht, me një zë karakteristik si ai i MJ.
“Billie Jean”
Siç thuhet më lartë, ndonëse “Billie Jean” lë vend për pretendime të ndryshme, kënga tregoi një sukses të madh dhe energji të jashtëzakonshme të MJ në skenë. E njëjta la një koreografi që mbeti ikonë e kërcimeve për gjeneratat e ardhshme.
Krahas kësaj, mesazhi është padyshim aty.
“Man in the Mirror”
Për disa, kjo mbetet mesazhi më i bukur për botën, ai që thotë se ndryshimi nis nga vetja.
E lansuar në 1988, “Man in the Mirror” është një këngë emocionale e Michael Jackson-it që inkurajon të tjerët për gjërat që mund të bëjnë për të përmirësuar veten.
SI VDIQ MJ?
Më 25 qershor 2009 , Michael Jackson vdiq nga një arrest kardiak në Los Anxhelos të Kalifornisë, në moshën 50-vjeçare.
Rezultatet e autopsisë treguan se vdekja ishte shkaktuar nga një kombinim i anestezisë intravenoze dhe shtatë medikamenteve të tjera që ai kishte marrë për trajtimin e gjumit. Mjeku i tij u dënua më vonë për vrasje të pakujdesshme, pasi kishte kryer veprime të paligjshme dhe të rrezikshme gjatë trajtimit të tij.
Conrad Murray, ish-mjeku i dënuar për shkak të vdekjes së Michael Jackson, u lirua nga burgu në vitin 2013.
Ish-kardiologu kreu më pak se dy vjet nga katër vjet burgim.
Këngëtari kishte qenë jashtë syve të publikut për disa vite, por po përgatitej për një seri performancash të rikthimit në arenën O2 në Londër dhe Murray po shërbente si mjeku i tij personal.
Murray, 60 vjeç, ishte dënuar me katër vjet burgim, por një ndryshim në ligjin e Kalifornisë lejoi që dënimi i tij të reduktohej ndjeshëm.
Xhekson u varros në një arkivol ari, i mbuluar me lule të bardha në shërbimin e funeralit duke lënë një zbrazëtirë të madhe në komunitetin artistik, megjithatë edhe një bagazh hitesh për t’u kujtuar përmes muzikës.