Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka refuzuar publikisht ofertën e presidentit amerikan Donald Trump për dërgimin e një anijeje-spitalore amerikane në ishull, duke theksuar se vendi i tij ka sistem shëndetësor publik falas për qytetarët.
Reagimi erdhi pasi Trump njoftoi në rrjetin e tij social Truth Social se do të dërgonte një anije me pajisje mjekësore për “të kujdesur për shumë njerëz që janë të sëmurë dhe nuk po marrin trajtimin e duhur”.
Në postim, ai përmendi se bashkë me të dërguarin për Grenlandën, Jeff Landry, do të dërgonin një “anije të madhe spitalore”, duke shtuar se ajo ishte “në rrugë”.
Postimi përfshinte një imazh të anijes USNS Mercy, një nga dy anijet-spital të operuara nga marina amerikane, megjithëse nuk është bërë e ditur kur apo nëse ajo do të mbërrijë në Grenlandë.
Në një reagim në Facebook, Nielsen tha prerazi: “Është një ‘jo faleminderit’ nga ana jonë.” Ai theksoi se Grenlanda ka një sistem shëndetësor publik ku trajtimi për qytetarët është falas, duke shtuar se “nuk është si në Shtetet e Bashkuara, ku vizita te mjeku kushton para”.
Kryeministri nënvizoi se Grenlanda mbetet e hapur për bashkëpunim me SHBA-në, por kërkoi që komunikimi të bëhet përmes kanaleve zyrtare. “Flisni me ne, në vend që të bëni shpërthime pak a shumë të rastësishme në rrjetet sociale,” u shpreh ai.
Deklarata e Trump vjen në një kohë kur ai ka shprehur prej kohësh interes për ishullin arktik, i cili është territor autonom nën sovranitetin e Danimarkës.
Në janar, ai kishte pranuar se nuk do ta merrte me forcë Groenlandën, pasi më herët nuk kishte përjashtuar një mundësi të tillë. Më pas, ai njoftoi për një “kornizë për një marrëveshje të ardhshme” mes SHBA-së dhe Groenlandës, ndërsa Danimarka dhe aleatët e NATO-s e kishin bërë të qartë se sovraniteti i ishullit nuk është në diskutim.
Njoftimi i fundit i Trump erdhi pak pasi Komanda e Përbashkët Arktike e Danimarkës bëri të ditur se kishte evakuuar një anëtar të ekuipazhit të një nëndetëseje amerikane pranë Nuuk-ut, i cili kishte nevojë për trajtim urgjent mjekësor.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse postimi i presidentit amerikan lidhej me këtë incident.
Detajet mbi të ashtuquajturën “kornizë marrëveshjeje” mes SHBA-së dhe Grenlandës mbeten ende të paqarta. Së fundmi, edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka deklaruar se vendet evropiane janë “të gatshme të bëjnë shumë akomodime”, pa dhënë sqarime të mëtejshme.
Trump planifikon dërgimin e një anije spitalore në Grenlandë