Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka dalë publikisht në mbrojtje të qëndrimit të Madridit kundër bombardimeve mbi Iranin, pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare me Spanjën.
Në një deklaratë televizive të mbajtur të mërkurën në mëngjes, Sanchez theksoi se politika e qeverisë së tij përmblidhet në një mesazh të qartë: “Jo luftës”.
Ai nënvizoi se përshkallëzimi ushtarak nuk është zgjidhje dhe paralajmëroi për pasoja të rënda afatgjata.
Duke kujtuar ndërhyrjen në Irak në vitin 2003, Sanchez tha se ajo ndërhyrje nuk përmbushi premtimet fillestare, por solli destabilitet dhe vështirësi për miliona njerëz. Sipas tij, një skenar i ngjashëm mund të përsëritet edhe në rastin e Iranit, me pasoja të drejtpërdrejta ekonomike për qytetarët e zakonshëm.
Ai bëri të ditur se qeveria spanjolle po analizon masa konkrete për të zbutur çdo ndikim të mundshëm ekonomik që mund të vijë si rezultat i tensioneve të reja.
Një ditë më herët, Trump deklaroi se do të “ndërpresë çdo lidhje” me Spanjën, duke e cilësuar vendin si “të tmerrshëm”, pasi Madridi refuzoi përdorimin e bazave ushtarake amerikane në territorin e tij për operacione kundër Iranit.
Autoritetet spanjolle i kanë përshkruar sulmet si një ndërhyrje të pajustifikuar dhe të rrezikshme.
