Pas dështimit të radhës për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, deputetja Time Kadrijaj nga radhët e AAK-së ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar si përgjegjëse të vetme për bllokadën institucionale që po kalon vendi.
“Po më vjen mirë që kësaj radhe qëndruam pas pushtetit me u deklaru. Aq shumë u thirrën në Kushtetutë, ndërsa këta janë shkelësit më të mëdhenj të Kushtetutës. Vetëm eksploroni sa ligje kanë miratuar në Kuvendin e Kosovës që kanë qenë antikushtetuese”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo ironizoi me daljet e shpeshta të zyrtarëve të Vetëvendosjes, duke i cilësuar si “masha” që flasin në vend të udhëheqësve të vërtetë të partisë.
Po më vjen mirë që Vetëvendosje po i përdor këto mashat e veta për me u prononcu këto ditë, sepse asnjëherë nuk po e shoh ndonjë oponent puro të Vetëvendosjes që del dhe deklarohet”, u shpreh ajo.
Tutje ajo tha se Vetëvendosje po e mban peng Kuvendin dhe gjithë Kosovën, sepse kjo situatë i konvenon politikisht.
“LVV nuk i ka votat dhe po e mban peng konstituimin e Kuvendit, po e mban peng Kosovën, sepse po ju konvenon. Dhe njëri prej oponentëve që sot u deklarua – shiheni se me çfarë afera korruptive është duke u përballur, e megjithatë merr guximin dhe del para mediave”, ka thënë ndër të tjera Kadrijaj.