Kryetarja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, paralajmëron se presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet të arrijë qëllimet e tij përmes negociatave, pasi nuk mund t’i realizojë ato në fushën e betejës.
Në një konferencë për media pas një video-thirrjeje me ministrat e jashtëm të BE-së, Kallas theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës dhe presionit ndaj Rusisë.
Ajo thekson se një armëpushim i plotë dhe i pakushtëzuar duhet të jetë hapi i parë, ndërsa Rusia po rrit aktivitetin e saj ushtarak dhe nuk tregon shenja gatishmërie për paqe.
Ajo vuri në dukje se pjesëmarrësit në takim “miratuan përpjekjet e SHBA-së për të dhënë fund luftës”.
“Ne të gjithë duam që kjo luftë të mbarojë, por mënyra se si përfundon gjithashtu ka rëndësi,” tha Kallas, raporton The Guardian.
“Duhet të mbajmë mend se ka një agresor dhe një viktimë. Një armëpushim i plotë dhe i pakushtëzuar duhet të jetë hapi i parë… por tani nuk shohim asnjë shenjë që Rusia është e gatshme për armëpushim”.
Kallas shtoi se Rusia nuk po ul aktivitetin e saj ushtarak, por po e rrit atë, dhe se BE-ja synon të kalojë nga një situatë ku Rusia “pretendon se negocion” në një situatë ku ajo “duhet të negociojë”.
Ajo gjithashtu përmendi ndikimin e sanksioneve ndaj ekonomisë ruse dhe disa dështime të Rusisë në terren.
