Kanadaja premton t’i rrisë shpenzimet për mbrojtjen

Kanadaja premtoi të hënën miliarda dollarë fonde shtesë për forcat e armatosura

E gjendur nën trysninë amerikane për t’i rritur shpenzimet e mbrojtjes, Kanadaja premtoi të hënën miliarda dollarë fonde shtesë për forcat e armatosura, duke thënë se deri në vitin 2030 do të jetë më pranë objektivit të përcaktuar nga NATO-ja.

Në një përditësim të politikës së mbrojtjes, qeveria liberale e kryeministrit Justin Trudeau tha se mbrojtja e Arktikut, si dhe ballafaqimi me sfidat e sigurisë që paraqesin Rusia dhe Kina, nënkuptojnë se Otava duhet ta fuqizojë mbrojtjen e saj.

“Po veprojmë përsëri për të ruajtur dhe mbrojtur rendin ndërkombëtar që ka mundësuar përparimin e njerëzve në mbarë botën gjatë pjesës më të madhe të shekullit të kaluar”, tha Trudeau gjatë një konference shtypi.

Deri në vitin 2030, Kanadaja do t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes me rreth 1.76% të prodhimit të brendshëm bruto nga 1.4% që e ka aktualisht. NATO-ja u ka kërkuar vendeve anëtare që të shpenzojnë për mbrojtjen 2% të prodhimit të brendshëm. Zyrtarët u thanë gazetarëve se nuk kanë caktuar një datë për arritur nivelin prej 2%.

Është gjithashtu e paqartë se në çfarë mase do të zbatohet synimi i shpenzimeve të qeverisë liberale pasi Partia Konservatore në opozitë duket se gëzon më shumë mbështetje përpara zgjedhjeve të tetorit të vitit të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara, që për vite më radhë i kanë bërë trysni Kanadasë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, e mirëpritën premtimin e Otavës për ndryshimin e politikës së mbrojtjes.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kanada, David Cohen, tha përmes një deklarate se Uashingtoni e përshëndet premtimin e Kanadasë për t’i rritur shpenzimet ushtarake dhe synimin për investime shtesë në të ardhmen.

Me një buxhet mbrojtje prej 22.8 miliardë dollarë amerikanë, Kanadaja synon t’i rrisë shpenzimet me 8.1 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme dhe me një shumë totale prej 73 miliardë dollarë kanadezë gjatë 20 viteve të ardhshme.

Vendi i dytë më i madh në botë për nga territori, Kanadaja ka vetëm 40 milionë banorë dhe gjithashtu luan një rol të madh në monitorimin e një territori të madh në Arktik me një shtrirje prej 4.4 milionë km katrorë tokë dhe ujë./VOA

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika