Kandidat për kryeministër, Abdixhiku prezanton vizionin e LDK-së për mbështetjen e artit dhe kulturës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëherësh kandidati i saj për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar sot një takim me artistë, krijues dhe përfaqësues të komunitetit kulturor, me të cilët ka diskutuar për sfidat e sektorit, vizionin për zhvillimin kulturor dhe rolin jetik të artit në shoqëri.

Gjatë takimit, Abdixhiku theksoi se arti nuk është luks, por “froni i shpirtit të një kombi”, duke nënvizuar se kultura përfaqëson kujtesën, identitetin dhe edukimin e shoqërisë.

Sipas tij, një shtet që investon në art investon drejtpërdrejt në të ardhmen, ndërsa respekti për kulturën është respekt për vetveten.

Ai vuri në pah obligimin moral dhe institucional për të mbështetur krijuesit dhe për të ruajtur trashëgiminë kulturore, duke siguruar kushte dhe hapësira të denja për krijim.

Abdixhiku bëri të ditur se pjesëmarrësve ua ka shpalosur edhe programin e LDK-së për kulturë, duke riafirmuar angazhimin për forcimin e këtij sektori.

Në përmbyllje, ai falënderoi artistët për bisedën dhe ndjeshmërinë, duke theksuar se frymëzimi që buron nga arti është një forcë kyçe për ndërtimin e një Kosove më të bukur, më humane dhe më dinjitoze.

Të fundit nga rubrika