Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shprehur shqetësimin për ndërprerjet e shpeshta dhe të zgjatura të energjisë elektrike në komunën që udhëheq.
Kastrati, nëpërmjet një reagimi publik, vlerëson se situata është veçanërisht e vështirë në këtë periudhë, kur temperaturat janë të ulëta, është afër festave të fundvitit dhe prezente është edhe diaspora, njofton Dukagjini.
“Si Kryetar i Komunës së Malishevës, shpreh shqetësimin e thellë për ndërprerjet e shpeshta dhe të zgjatura të energjisë elektrike në territorin e komunës sonë, të cilat po shkaktojnë vështirësi serioze për qytetarët dhe bizneset lokale. Këto ndërprerje, sidomos në këtë periudhë (temperatura të ulëta, në prag të festave të fundvitit dhe prezencës së mërgatës sonë), po cenojnë jetën e përditshme të qytetarëve, funksionimin normal të shkollave, qendrave shëndetësore, shërbimeve komunale dhe po krijojnë pasoja ekonomike për bizneset”, ka shkruar Kastrati.
Mes tjerash, ai i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë që të trajtojë me prioritet situatën energjetike në Komunën e Malishevës dhe të ndërmarrë masa konkrete për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të trajtojë me prioritet situatën energjetike në Komunën e Malishevës dhe të ndërmarrë masa konkrete për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët e komunës së Malishevës. Po ashtu, edhe nga KEDS dhe KESCO kërkojmë që të ofrojnë sqarime të qarta për arsyet e këtyre ndërprerjeve, si dhe të sigurojnë intervenime urgjente teknike për evitimin e mungesës së energjisë elektrike në komunën tonë! Qytetarët e Malishevës meritojnë trajtim të barabartë, ashtu si çdo komunë tjetër e vendit. Furnizimi me energji elektrike është shërbim bazik dhe e drejtë themelore, e cila duhet të garantohet pa përjashtime”, ka shkruar ai.