Faza “play-off” e nokautit në UEFA Champions League mbyllet këtë javë, derisa sonte zhvillohen katër ndeshje të kthimit që do të përcaktojnë tetë skuadrat e fundit që sigurojnë kalimin tutje.
Nga ora 18:45 në Bergamo, Atalanta pret Borussia Dortmund në “Gewiss Stadium”.
Gjermanët udhëtojnë në Itali me epërsi 2-0 nga ndeshja e parë, falë golave të Serhou Guirassy dhe Maximilian Beier.
Atalanta do të tentojë përmbysjen para tifozëve të vet, por përballë ka një Dortmund që e ka vendosur veten në pozitë komode për kualifikim.
Nga ora 21:00
Juventus – Galatasaray
Në Torino, Juventus përballet me Galatasaray në “Allianz Stadium”.
Italianët kanë përpara një mision të vështirë pas humbjes 5-2 në Stamboll. Skuadra turke befasoi me një paraqitje dominuese, ku Noa Lang realizoi dy herë. “Bianconerët” kanë nevojë për një rikthim të madh nëse duan të shmangin eliminimin.
PSG – Monaco
Në Paris, kampioni në fuqi Paris Saint-Germain pret AS Monaco në një duel tërësisht francez në “Parc des Princes”.
PSG ka avantazh minimal 3-2 nga ndeshja e parë, ku përmbysi disavantazhin 0-2 falë dy golave të Desire Doue dhe realizimit të Achraf Hakimi. Gjithçka mbetet e hapur në këtë përballje.
Real Madrid – Benfica
Në “Santiago Bernabeu”, Real Madrid përballet me Benfica.
“Los Blancos” kryesojnë 1-0 në total pas golit spektakolar të Vinícius Junior në ndeshjen e parë. Takimi i parë u shoqërua me polemika jashtë fushës, ndërsa UEFA ka nisur hetime disiplinore lidhur me incidentet e raportuara.