Policia e Kosovës ka raportuar për katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit në disa komuna të vendit.
Në Prishtinë një burrë kosovar ka sulmuar fizikisht një mashkull tjetër.
I dyshuari, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, me vendim të prokurorit është dërguar për trajtim në Klinikën e Psikiatrisë, ku edhe është ndaluar për trajtim të mëtejmë.
Ndërsa, një rast tjetër në kryeqytet, një grua ka raportuar se është kanosur përmes mesazheve telefonike nga një burrë kosovar.
Pas konsultimeve me prokurorin, është iniciuar rast penal, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Kaçanik, Policia ka arrestuar një burrë kosovar i cili kishte ofenduar dhe kanosur një mashkull dhe familjen e tij përmes telefonit, e më pas kishte shkuar edhe në oborrin e viktimës.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një burrë në Rahovec është arrestuar pasi dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima nuk ka pasur shenja të dukshme të dhunës dhe ka refuzuar trajtimin mjekësor.
I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
