Policia e Kosovës ka bërë të ditur se katër persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.
Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas një pune operative-hetimore, kanë siguruar prova se të dyshuarit me inicialet M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh., përmes falsifikimit të dokumenteve – përfshirë pasaportë të Serbisë dhe dokumente të tjera – si dhe duke prezantuar një person të rremë si person real, kanë arritur ta tjetërsojnë dhe shesin përmes noterit një pronë në pronësi të ankuesit M.T, njofton Dukagjini.
Bëhet fjalë për një pronë me sipërfaqe prej 36.28 ari, e cila dyshohet se është shitur në mënyrë të kundërligjshme, duke mashtruar edhe blerësin H.M. se prona posedonte dokumentacion të rregullt.
Në këmbim të kësaj, të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar shumën prej 1,578,180 euro.
Me urdhër verbal të prokurorit të rastit janë realizuar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9,000 euro para të gatshme, të cilat do të shërbejnë si prova në procedurën e mëtejme.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës dhe në konsultim me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.