Policia britanike tha se katër persona janë plagosur pasi një makinë raportohet se u përplas me këmbësorët dhe therri me thikë njerëz afër një sinagoge në Mançester, në veriperëndim të Anglisë. Autoritetet thanë se policia e qëlloi të dyshuarin.
Policia në Mançester tha se zyrtarët pranuan informacion për një incident në Sinagogën e Kongregacionit Hebraik Heaton Park në Krumpsall, në veri të Mançesterit, pasi një dëshmitar tha se kishte parë një makinë që u përplas me turmën e njerëzve dhe se një person ishte goditur me thikë.
Policia tha se zyrtarët qëlluan një person që besohet se është i dyshuari.
Në vendngjarje janë parë forca të shtuara të policisë, ndërkaq po ashtu janë parë edhe ekipe të emergjencave.
“Ekipet shëndetësore kanë arritur në vendngjarje … dhe po përkujdesen për qytetarët. Aktualisht katër qytetarë kanë plagë të shkaktuara si nga makina, por edhe nga therja”, tha policia përmes një postimi në X.
Kryetari i Mançesterit, Andy Burnham, tha se ky ishte një incident serioz.
“U bëj thirrje njerëzve që të shmangin këtë zonë. Ky është incident serioz, por në të njëjtën kohë mund t’iu japim siguri njerëzve se rreziku duket se ka kaluar dhe se policia në Mançester e ka trajtuar shumë shpejt” këtë rast, tha ai për radion BBC./REL