KEDS nis çkyçjen e bizneve: S’mund të lejojmë vazhdimin e furnizimit me energji elektrik

Bizneset që nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontratë për furnizim me energji elektrike nga një operator i licensuar, sot do mbesin në terr.

Kështu ka njoftuar KEDS gjersa ka theksuar se çkyçja do bëhet fizikisht nga ekipet e tyre.

“Siç kemi informuar para pak ditësh se në respektim të njoftimit-vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të datës 13 gusht 2025, KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej Furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja. Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot kemi filluar shkyçjen e rreth 450 bizneseve, të cilat nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike. Po ashtu, ju njoftojmë se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani, për çka KEDS-i ka mobilizuar ekipe në terren gjithandej në Kosovë”, ka shkruar KEDS.

KEDS vazhdon të inkurajojë këta konsumatorë që sa më parë të lidhin marrëveshje me një Furnizues të licencuar nga ZRRE, lista e të cilëve gjendet në ueb faqen e ZRRE-së, për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike.

Të fundit nga rubrika