Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë KEDS ka reaguar sërish lidhur me akuzat për njehsorët e energjisë elektrike nga të cilët qytetarët janë ankuar se rryma po matet gabimisht dhe gjithmonë me të shtrenjtën.
Në njoftim, KEDS thotë se çdo pretendim trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë, duke theksuar se besimi i qytetarëve është thelbësor.
Sipas kompanisë, të gjithë njehsorët kalibrohen dhe sinkronizohen sipas standardeve zyrtare dhe funksionojnë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Rregullatori, duke siguruar matje të sakta dhe trajtim të barabartë për konsumatorët.
“Të gjithë njehsorët kalibrohen dhe sinkronizohen sipas standardeve zyrtare dhe funksionojnë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Rregullatori duke siguruar matje të sakta dhe trajtim të barabartë për të gjithë konsumatorët”, thuhet nga KEDS-i.
KEDS shton se në raste të izoluara mund të ketë devijime të vogla teknike, por çdo shqetësim verifikohet nga ekipet në terren dhe trajtohet sipas procedurave në fuqi.
Në fund, kompania ka bërë të ditur se ka paralajmëruar një konferencë për media të mërkurën, më 1 prill, në ora 15:00, ku pritet të japë sqarime shtesë për këtë çështje.