Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL e UÇK-së) ka reaguar pas publikimit të komunikimit në seancën e mbyllur mes ish-presidentit Hashim Thaçi, trupit gjykues dhe prokurorit John Devaney – sot prokuror, e dje gardian i thjeshtë në paraburgim – duke e cilësuar këtë si një skandal të pashembullt në drejtësi.
“Një njeri që dje kishte pozitën e rojës, sot është ngritur në postin e prokurorit që i ndjek po ata burra që i kishte pasur nën kontroll. Ky transformim i shpejtë dhe i dyshimtë është dëshmi e qartë se procesi kundër udhëheqësve të UÇK-së po zhvillohet në kushte të padrejta, të njëanshme dhe fyese për popullin e Kosovës,” thuhet në reagim.
Në këtë linjë, edhe ish-presidenti Thaçi ka ngritur shqetësimin në gjykatë, duke theksuar: “Ka kryer fyerje dhe kërcënime ndaj nesh të akuzuarve.”
Shoqatat e dala nga lufta e kanë cilësuar këtë rast si “turpërim dhe poshtërim të drejtësisë ndërkombëtare” dhe kanë paralajmëruar protesta.
“Ne nuk do të heshtim, kjo është edhe një arsye më shumë për të protestuar me dinjitet dhe vendosmëri në Den Haag, më 14 shtator, ora 14:00, për të kërkuar drejtësi të vërtetë për luftën tonë çlirimtare dhe për udhëheqësit tanë,” thuhet në reagim.